Sport

Biletat e para të Botërorit dalin në shitje këtë javë

Bileta më e shtrenjtë, ajo e finales prej 920 eurosh, do të jetë për rreth 160 euro më e shtrenjtë në krahasim me finalen e Botërorit “Brazili 2014

Vala e parë e biletave për Kampionatin Botëror të futbollit “Rusia 2018” do të dalin në shitje të enjten.

Tifozët do të jenë në gjendje të aplikojnë për bileta në uebfaqen e FIFA-s. Biletat do të shiten përmes dy fazave.

Çmimi i tyre lëviz nga 87 deri në 920 euro për finalen në Moskë. Në bazë të politikave të deritashme, rusët do të kenë zbritje speciale me biletë që nisin prej më pak se 20 euro.

Bileta më e shtrenjtë, ajo e finales prej 920 eurosh, do të jetë për rreth 160 euro më e shtrenjtë në krahasim me finalen e Botërorit “Brazili 2014”.

Të gjitha aplikacionet që do të bëhen në fazën e parë, para 12 tetorit, do të hyjnë në selektimin e rastësishëm, nëse nuk do të ketë bileta të mjaftueshme për aplikuesit. Aplikuesit do të njoftohen më 16 nëntor të këtij viti.

Turneu nis më 14 qershor me Rusinë që luan ndeshjen hapëse në Moskë.