Bota

Bitcoini rrezikon ta lë Islandën pa rrymë

Këtë vit, elektriciteti që u përdor në qendrat e mihjes së Bitcoinit pritet të kalojë shifrën që shpenzohet nga të gjitha shtëpitë në Islandë

Islanda po përballet me rritje të papritur të mihjes së monedhës digjitale Bitcoin, mjaftueshëm sa të rrezikojnë energjinë elektrike për gjithë vendin, ka thënë një zyrtar i firmës energjetike në Islandë, HS Orka.

Këtë vit, elektriciteti që u përdor në qendrat e mihjes së Bitcoinit pritet të kalojë shifrën që shpenzohet nga të gjitha shtëpitë në Islandë, sipas Johann Snorri Sigurbergsson.

Ai ka thënë se shumë klientë janë shtuar në tregun e mihjes dhe nëse realizohen të gjitha projektet e paraparë, nuk do të ketë energji për gjithë vendin, transmeton Albinfo.ch.

Islanda ka popullsi prej 340 mijë banorësh. Në vitet e fundit, gati 100 për qind e energjisë në Islandë vjen nga burimet e ripërtërishme.

Sipas tij, mihjet e Bitcoinit shpenzojnë rreth 840 orë gigavatë të energjisë elektrike, për dallim nga shtëpitë që shpenzojnë 700 orë gigavatë në vit.