Kosova

Biznesmenë nga Gjermania dhe Zvicra, të gatshëm të investojnë në Mitrovicë

Ai më pas theksoi se ky projekt me rastin e realizimit në qytetin e Mitrovicës parashikon investime mbi 25 milionë euro, ndërsa në nivel të Kosovës rreth 100 milionë

Përfaqësues të lartë nga kompania “RPP-Germany”, Safet Sadiku dhe Avni Nasufoski, janë pritur nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, me të cilët ka biseduar më gjerësisht lidhur me mundësitë e bashkëpunimit dhe investimeve në Komunën e Mitrovicës.

Bahtiri, i falënderoi të pranishmit për interesimin për të investuar në Kosovë, ku i ka njoftuar më pas lidhur me kushtet që ofron Komuna e Mitrovicës për investitorët e huaj, njofton faqja e komunës.

Në fjalën e tij përfaqësuesi për Ballkan, Nasufoski pasi ja dorëzoi Biznes-Planin kryetarit Bahtiri, ai e njoftoi atë lidhur me projektin energjetik i cili ka për qëllim, grumbullimin dhe riciklimin e plehrave dhe prodhimin e energjisë, përcjell albinfo.ch.

Ai më pas theksoi se ky projekt me rastin e realizimit në qytetin e Mitrovicës parashikon investime mbi 25 milionë euro, ndërsa në nivel të Kosovës rreth 100 milionë.

Bahtiri theksoi se Komuna e Mitrovicës ofron kushte dhe lehtësira shumë të mëdha për të gjithë ata që synojnë të investojnë në projekte të ndryshme, duke përmendur me këtë rast dhënien e tokës falas, pastaj edhe lehtësirat tjera tatimore.

Mysafirët me këtë rast treguan interesim të veçantë për të investuar në qytetin e Mitrovicës, ku theksuan më pas se janë të interesuar që të identifikojnë fillimisht nevojat e këtushme, me qëllim që shumë shpejt të bashkëpunojnë për realizimin eventual të këtij projekti madhor i cili do të ndihmojë shumë në zhvillimin ekonomik të qytetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve mitrovicas.