Integrimi

Blerina këshillon zviceranët: “Mos më quani `jugo`”

Redaktorja në blick, Blerina Markaj sqaron se në çfarë rastesh ajo, si zvicerane me prejardhje kosovare, reagon me ndjeshmëri të veçantë

Njerëzit me rrënjë nga Kosova nuk e kanë lehtë: Për shkak të vështirësive në integrim dhe delikteve të disa kriminelëve, te shumë zviceranë janë krijuar paragjykime ndaj tyre. Redaktorja në blick, Blerina Markaj sqaron për këtë medium se në çfarë raste ajo, si zvicerane me prejardhje kosovare reagon me ndjeshmëri të veçantë.

Këshilla 1: “Jugos” (emri me të cilin në Zvicër i quajnë njerëzit nga Ish Jugosllavia) nuk janë gjithmonë “Jugos”

Nën këtë këshillë, Blerina sqaron rrugën e krijimit të ish Jugosllavisë dhe me këtë, edhe të termit “Jugo”. Pas shkatërrimit të Republikës federative të Jugosllavisë, nga viti 1992 kemi disa shtete të krijuara në vend të saj. Nga viti 2006 të gjitha këto shtete qenë bërë të pavarura përveç Kosovës, e cila u pavarësua në vitin 2008. Pastaj ajo tregon për reagimet që dëgjon kur thotë se Kosova është shtet i pavarur: “Ahhh Kosova? Tash është shtet në vete apo? Nuk e paskam ditur…” Natyrisht edhe pse tashmë janë mbushur shtatë vite nga kjo, rrëfen Blerina. Përfundimisht, me këtë, zviceranët duhet ta kenë të qartë: kosovarët vijnë nga Kosova, kroatët nga Kroacia e kështu me radhë, shkruan blick.ch, transmeton albinfo.ch.

Këshilla 2: Kosovarët nuk duan të identifikohen si “Jugo”

Si zvicerane me prejardhje nga Kosova kam shpenzuar shumë kohë gjatë viteve të fundit duke sqaruar se përse kosovarët ndjehen menjëherë si të sulmuar kur dikush i quan “Jugos”. Ja sqarimi: Në vitin 1998 ndodhi lufta e Kosovës, një konflikt i armatosur në mes të Serbisë dhe Kosovës. E pra ekziston një arsye për të reaguar me nervozë kur dikush ata i quan “Jugos”, apo jo?

Këshilla 3: Mos e pyetni një kosovar të natyralizuar prej nga e ka prejardhjen

… madje edhe po e bëtë këtë nga interesimi juaj kulturor. Pak kohë më parë, më pyet një zonjë në zyrën e pasaportave: “Prej nga vini?” unë nuk e kuptova saktësisht se si mendonte zonja dhe iu përgjigja me nervozë diçka si: “Hmmm, nga Zvicra?”. “Po por ju nuk jeni zvicerane e vërtetë”, ma ktheu ajo. Unë qesha kundër dëshirë dhe ia dhash më në fund përgjigjen që e dëshironte, me një ton paksa të irrituar. Isha ngucakeqe? Jo, ky është temperamenti im.

Këshilla 4: Mos i thuani kurrë një kosovari se është i njëjtë sikur të tjerët, por po ashtu mos i thuani se ai është ndryshe nga të tjerët

Duke e bërë këtë, ju i hedhni të gjithë kosovarët në një thes. Para pak kohe, në shkollë: “Ah të lutem, ti qenke kosovare? Kurrë nuk do ta kisha besuar”. Unë ia kthej: “E pse jo?” . Përgjigja e saj vjen flakë për flakë: “Paj për arsye se ti je krejtësisht ndryshe. Po mendoj, ti studion dhe flet schwitzerdütsch në mënyrë të përsosur”. Me shprehjet si kjo, një zviceran sigurisht nuk duhet të presë që të mirëpritet nga tjetri. Ky është momenti kur e vetmja përgjigje ime mund të jetë kjo: “Eh, si duhet ta kuptoj unë këtë? Se ne të gjithë qenkemi të marrë?”.

Këshhilla 5: Jo të gjithë janë kriminelë dhe të dhunshëm

Ose, jo më shumë se që janë të tjerët të tillë. Një këshillë personale nga unë: “Rrini `cool` dhe mirrni frymë me qetësi. Po, ne na pëlqejnë veturat e shpejta dhe po, ne jemi paksa më temperamentë, por në të vërtetë ne jemi njerëz fare normalë”.