Shkurt.ch

Bora bllokon trenin, qindra pasagjerë kalojnë natën në një shkollë

400 pasagjerët e trenit janë detyruar me këtë rast të presin mbi pesë orë, deri sa ka ardhur ndihma dhe i ka liruar ata

Bora dhe ngricat që kanë përfshirë Zvicrën gjatë dy ditëve të fundit, veç telasheve tjera, ka shkaktuar mjaft çrregullime në komunikacion. Por duket se më së vështiri kanë kaluar rreth 400 udhëtarë të një treni nga Kantoni Valis.

Një tren i nisur nga Sioni (Sitten) në Kantonin e Valisit drejt Lozanës (Vaud) është bllokuar pasditen e të dielës rreth orës 16.40 në mes stacioneve Aigle/VD dhe BexVD, njofton srf.ch.  400 pasagjerët janë detyruar me këtë rast të presin mbi pesë orë, deri sa ka ardhur ndihma dhe i ka liruar ata, njofton SBB.

Ata janë vënë pastaj nën përkujdesje të policisë dhe shërbimit për mbrojtje nga katastrofat, me ç`rast kanë marrë edhe ushqim, transmeton albinfo.ch. Gjatë kësaj kohe vagonët e trenit janë ngrohur dhe kanë qenë të furnizuar me energji elektrike.

Por, duke qenë se edhe rrugët në regjion kanë qenë të bllokuara nga bora dhe ngricat, atyre u është dsshur të kalonin natën e mbrëmshme në hapësirat e një shkolle në Bex.