Shqipëria

Bora sërish shkakton probleme në veri e jug të Shqipërisë

Reshjet e borës kanë përfshirë veriun dhe juglindjen e Shqipërisë, duke shkaktuar vështirësi gjatë qarkullimit të automjeteve. Reshjet kanë shkaktuar probleme edhe përgjatë “Rrugës së Kombit”, raportojnë mediat shqiptare. Në disa fshatra të zonës së Dibrës bora ka arritur deri në 40 centimetra trashësi, duke i bllokuar banorët në disa pjesë, përcjell albinfo.ch.

Bora ka mbuluar edhe pjesën më të madhe të Qarkut juglindor të Korçës. Zonat malore, por edhe fshatrat turistike të Dardhës dhe Voskopojës kanë regjistruar intensitet të lartë të reshjeve, duke sjellë edhe probleme në lëvizjen e automjeteve. Për të udhëtuar drejt fshatit turistik, qarkullimi është vështirësuar edhe me zinxhirë.

Reshje bore ka edhe në zonën e Devollit, por aksi kombëtar Korçë-Kapshticë është i hapur dhe lëvizja e automjeteve po bëhet pa probleme.