CH-Ballkani

Branko Manojllovski: Ortodoksët e Rekës u kthehen rrënjëve shqiptare

Albinfo.ch e ka kontaktuar Branko Manojllovskin dhe i ka marrë një intervistë për të sjellë më afër historinë e dhimbshme të banorëve të Rekës së Epërme

Mërgimtari 75 vjeçar, Branko Manojllovski, është deklaruar publikisht se është shqiptar ortodoks dhe jo maqedonas.Pjesën më të madhe të jetës së tij ai e ka kaluar në Amerikë me gruan dhe tre fëmijet e tij. Pas pensionimit është kthyer Rekën e Empërme, në fshatin e tij të lindjes, në Kiçinicë.

Para pak javësh, ai ka promovuar librin e tij mbi origjinën shqiptare të banorëve të Rekës së Epërme.

Albinfo.ch e ka kontaktuar xha Brankon dhe i ka marrë një intervistë për të sjellë më afër historinë e dhimbshme të banorëve të Rekës së Epërme.

Albinfo.ch: Ju jeni autor i librit të  “Fshati Kiçinicë dhe Reka e Epërme”, që është promovuar këto ditë. Çfarë përmban libri juaj?

Branko Manojllovski: Doja t`i shkruaja nja dy llafe për Rekën e Epërme, për Kiçinicën, për nënën time e për origjinën tonë shqiptare. Dua që përmes këtij libri të përhapet e vërteta, sepse për pak u harrua nga tanët se ishin shqiptarë. Reka e Epërme kishte myslimanë dhe ortodoks shqiptarë. Ortodoksët shqiptarë u ofruan më tepër me sllavët maqedonë dhe u asimiluan, kurse myslimanët shqiptarë u ofruan me tepër me turqit. Mirëpo ishin dy vëllezër, prej dy vëllëzërve ishin larguar. Në këto anë ka shumë shqiptarë ortodoksë dhe Reka e Epërme është origjinal, ka qenë si muze i shqiptarizmit.

A është libri më tepër një thirrje  për ata shqiptarë të tjerë ortodoks të Rekës së Epërme për të mos e mohuar origjinën e tyre?

Qysh si fëmijë dëshiroja ta shkruaja një libër për vendin tim dhe kur e shkruan të vërtetën, pa filozofuar, dora vetë shkruan. Libri kërkon t’i dëftojmë e ta dinë gjithë bota se Reka e Epërme janë shqiptarë me dy besime që folin të njejtën gjuhë, shqip. Ndjehem i gëzuar që libri është pranuar shumë mirë prej disa banorëve të Rekës që ende mbahen si sllavë. Duhet ta themi të vërtetën, ne kemi qenë shqiptarë dhe kemi folur shqip, pavarësisht se ka disa probleme me disa familje që më akuzojnë, pse i dëftova se janë shqiptar, ngase janë martuar me sllavë e ju prisha rehatllëkun.

A mund të na thoni si duket jeta në fshatrat e Rekës së Epërme, e mbajnë banorët ende të fshehur identitetin e tyre shqiptar?

Asimilimi është proces i rëndë, kishte një periudhë disa vjeçare të asimilimit, në fillim ishin serbët, pastaj bullgarët e komunizmi dhe këtë s’mund ta ndërrosh menjëherë. S’mund ta kthesh mbrapa as për dy ditë e as për dy vjet, duhet shumë punë. Mirëpo një gjë është e vërtetë, të gjithë e morën vesh ku e kanë rrënjën. Përmes këtij libri do të vërtetohet edhe më shumë.

Thuhet se kur jeton larg atdheut, shprehja e patriotizmit është më e theksuar, ju si e keni ndjerë jetën larg vendlindjes?

Sa më larg shkon, je më afër vendit tënd e atdhedashuria bëhet më e fort. Unë kam 50 vjet që jetoj në Amerikë. Këto vite mua më lanë plagë punën shqiptarizmit. Në Maqedoni për këta 50 vjet të afërmit e mi shkuan drejt asimilimit, kurse unë mbeta shqiptar.

A keni informacione si duket diaspora e Rekës së Epërme, a ka banorë të kësaj ane që jetojnë edhe në Zvicër?

Po ka në Zvicër e tërë Evropën. E di që ka disa familje ortodokse shqiptare që jetojnë edhe në Zvicër, siç ka edhe shumë shqiptarë ortodoks që jetojnë nëpër shtetet e ish-Jugosllavisë, se ata e kanë në gjak biznesin, siç thonim ne rekanët, duam të punojmë për vetveten jo për të tjerët.

Si janë reagimet e tyre në lidhje me daljen tuaj publike mbi origjinën tuaj shqiptare të besimit ortodoks?

E di ku është problemi, ata janë sllavizu, flasin maqedonisht e nuk tregojnë se janë shqiptarë. Ata ndjehen ndryshe, por unë i di kush janë të parët e tyre.

A është vështirë të jesh shqiptar në Maqedoni?

Nuk është lehtë të jesh shqiptar në Maqedoni, të jesh shqiptar ortodoks është edhe më vështirë, se ata thonë shqiptarët janë myslimanë, e nga na doli ky. Pra, nuk duan ta besojnë që ka edhe ortodoksë shqiptarë. Megjithatë, une jam shumë i gëzuar se jam rekan ortodoks e do të vdes si rekan.

„Nuk duan të besojnë se ka edhe shqiptarë ortodoksë“

Reka e Epërme kishte muslimanë dhe ortodoks shqiptarë. Ortodoksët shqiptarë u ofruan më tepër me sllavët maqedonë dhe u asimiluan, kurse muslimanët shqiptarë u ofruan me tepër me turqit. Mirëpo ishin dy vëllezër, prej dy vëllëzërve ishin larguar.

Të jetoje si ortodoks në Maqedoni ishte edhe më vështirë, se ata thonë shqiptarët janë muslimanë, e nga dolet ju tani. Pra, nuk duan ta besojnë që ka edhe ortodoks shqiptarë. Megithatë, une jam shumë i gëzuar se jam rekan ortodoks e do vdes si rekan

 

„Libri ua prishi rehatinë disave“

Libri kërkon t’i dëftojmë e ta dinë gjithë bota se Reka e Epërme janë shqiptarë me dy besime që folin të njejtën gjuhë, shqip. Ndjehem i gëzuar që libri është pranuar shumë mirë prej disa banorëve të Rekës që ende mbahen si sllavë. Duhet ta themi të vërtetën, ne kemi qenë shqiptarë dhe kemi folur shqip, pavarësisht se ka disa probleme me disa familje që më akuzojnë, pse i dëftova se janë shqiptar, ngase janë martuar me sllavë e ju prisha rehatllëkun.