Kosova

Brenda vitit bëhet liberalizimi i vizave

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën drejt integrimit euroatlantik.

Ajo bëri të ditur se Ministria që e drejton së bashku me Qeverinë e Kosovës do të krijojnë një momentum të ri, duke arritur një konsensus nacional jo vetëm me fjalë, por me vepra, në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Duke aluduar në Raportin e Progresit, Hoxha tha se raporti i fundit i publikuar shërben si udhërrëfyes për vendin, se ku janë prioritetet dhënë përshpejtimin e reformave që veç kanë filluar, përcjell albinfo.ch.

“Me publikimin e raportit të vendit , Qeveria ka reaguar menjëherë duke i identifikuar sfidat dhe rekomandimet që kanë dal nga raporti i vendit, kemi dhënë afate kohore, ju kemi dhënë përgjegjësitë të gjitha atyre që janë të përmendura në mënyrë direkte ose indirekte”, tha ajo në konferencën e Grupit për Hulumtimin e Politikave në Ballkan me temën “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformave, Bashkëpunimi rajonal dhe Integrimi Evropian”.

Hoxha tha se javën e ardhshme presin misioni vlerësues nga KE. Ajo shprehet optimiste se brenda këtij viti qytetarët kosovarë të mos mbesin të vetmit qytetarë në rajon të izoluar.