Gjuha

Brezi i dytë e i tretë rrezikon të mbetet „analfabet“ i gjuhës shqipe

„Është rrezik që fëmijët me prindër me arsimim të ulët të humbin kontaktin me gjuhën amtare letrare dhe me gjithë kulturën e shkruar duke rrezikuar të mbesin analfabet të gjuhës së tyre të cilën e flasin vetëm në trajtën dialektore“, tha Schader

Gjuhëtari dhe albanologu i njohur Basil Schader, profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Cyrihut është shprehur mjaft kritik në një tryezë me studentët shqiptarë të titulluar „Dini ende shqip?“ kur është pyetur se sa komuniteti shqiptar në Zvicër zotëron gjuhën amtare në krahasim me komunitet tjera.

Albanologu zviceran tha para studentëve se vetëm përafërsisht 10 për qind të fëmijëve të komunitetit shqiptar vijojnë mësimin në gjuhën shqipe, që është shumë më pak në krahasim me komunitetet tjera në Zvicër „Është rrezik i madh që fëmijët me prindër me arsimim të ulët të humbin kontaktin me gjuhën amtare letrare dhe me të gjithë kulturën e shkruar dhe gjuhën e standardizuar shqipe duke rrezikuar të mbesin analfabet të gjuhës së tyre të cilën e flasin vetëm në trajtën dialektore“, tha Schader.

Megjithatë për gjuhëtarin zviceran gjuha shqipe në diasporë nuk do të humbet në 15 -20 vjetët e ardhshëm.

Këtë pyetje atij ia parashtruan studentët në tryezën e organizuar nga shoqata „Studenti“ “Për disa arsye gjuha shqipe do të mbijetojë, si për shkak të kontakteve me vendet e prejardhjes, vitalitetit të folësve etj. Por, ka shumë rrezik që në brezin e dytë dhe të tretë të ketë shumë analfabetë të cilët e zotërojnë gjuhën shqipe në një trajtë të kufizuar dialektore por nuk do të jenë në gjendje ta përdorin për kërkime më të thella ngase këtu gjatë gjithë kohës në shkollë mësohet vetëm gjuha gjermane ndërsa gjuha amtare nuk mësohet nëse nuk vijohet mësimi plotësues në gjuhën shqipe“, thotë Schader.

„Nëse në Zvicër ka 5 herë më shumë shqiptarë se retoromanë, atëherë nuk e di se pse nuk e zyrtarizohet si gjuhë e pestë në vend. Mendoj që disa nga dokumentet duhet të përkthehen edhe në gjuhën shqipe. Një numër i tyre, nga fusha e arsimit, shëndetësisë etj., tashmë janë përkthyer“, përgjigjet në një pyetje tjetër të studentët Schader për përparësitë e angazhimit të shqiptarëve në administratë.

Për profesorin e Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut shqipja ka disa veçori që janë të vështira për të huajt. Po, ashtu sipas tij shqipja ka një fjalor më të pasur se gjermanishtja.

Në Zvicrën gjermane ai thotë se dialekti ka një status të veçantë dhe prestigj të lartë ndërsa në vendet tjera si Gjermania e Franca, po edhe në Kosovë dialekti vlerësohet si më i ulët. Shqiptarët duhet të zotërojnë gjuhen letrare që të mos e humbin kulturën e te shkruarit”, ka thënë Schader.

“Gjuha, më tepër se vetem mjet komunikimi”

Gjuhëtari dhe pedagogu shqiptar, Naxhi Selimi nga Tetova, i cili për 26 vite jeton  në Cyrih të Zvicrës është pajtuar me kolegun zviceran se me gjithë begatinë që ka gjuha shqipe në aspektin semantik por edhe të frazeologjisë, familjet shqiptare vetëm në mënyrë të kufizuar shfrytëzojnë begatinë për gjuhën që e kanë sjellë nga vendi i origjinës.

“Gjuha është pjesë e identitetit. Gjuha është më tepër se mjet komunikimi dhe edukata ndikon në zhvillimin e gjuhës amtare, pastaj ndikojnë kushtet dhe rrethanat kur rriten fëmijët”, thotë docent i didaktikës së gjuhës gjermane në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Schwyz, Naxhi Selimi.

Më tutje, tetovari  i cili për 10 vite punoi në drejtorinë e arsimit të kantonin e Cyrihut tha se komunikimi, interaksioni në jetën e perditshme ndërmjet prindërve dhe fëmijëve ndikon në ruajtjen e shqipes te brezi i dytë

Ai ka folur për raste të fëmijëve me prindër që nuk i kushtojnë rëndësi të folurit në shqip. “Nëse një gjuhë mësohet më pak se tjetra, gjuha dominante e shtyp zhvillimin e gjuhës që është mësuar më dobët”, thotë profesori.

Këta fëmijë nuk janë kompetent sa duhet as në gjuhën shqipe e as gjermane  „Nëse unë si prind jam i vetëdijshëm në aspektin gjuhësor dhe i mbështes fëmijët të mësojnë gjuhën amtare atëherë pritjet janë për një bazë të fortë dhe shëndoshë që do të ndikojë pozitivisht në të mësuarit e gjuhës gjermane por edhe vazhdimin dhe ruajtjen e mësuarit të shqipes“, thekson në këtë komunikim profesori me origjinë nga Tetova.

Shpresa Jashari është doktorante dhe bashkëpunëtore profesionale në Universitetin e Neuchatelit ku është angazhuar me projektin “Martesa transnacionale në Zvicër”. Ajo është po ashtu edhe publiciste dhe ka një përvojë me mësimin e gjuhës shqipe për zviceranët dhe shqiptarët e brezit të dytë.

Duhet stimuluar të folurit e shqipes, qoftë në dialekt apo në gjuhën standarde

“Në shtëpi kemi folur në dialektin nga vendi prej nga kemi migruar në këtë rast nga Kërçova”, ka thënë Shpresa Jashari, duke e thyer për disa çaste rregullin e të folurit në gjuhë standarde, respektivisht duke folur sa për kuriozitet, në të folmen e Kërçovës.

Ajo ka vënë theksin në rëndësinë dhe pasurinë e gjuhës së folur, në këtë rast të dialektit. Pasi që gjuha është mjet për t`u marrë vesh, atëherë duhet stimuluar të folurit, në cilindo variant qoftë, standard apo dialektor, mendon Sh. Jashari. Ajo po ashtu është shprehur se mësimi i gjuhës në shumë raste ka qenë edhe luks për shkak të angazhimeve të mëdha që kanë pasur prindërit tanë në punë.

Ajo ka tërhequr vërejtjen që të mos kihet kompleks nga të folurit në dialekt, kur kjo është forma që e zotërojmë më ë miri dhe në të mund të shprehemi më lirshëm.

Më tutje, studiuesja me rrënjë nga Kërçova ka treguar për kontaktet e saj të para me Shqipërinë dhe Kosovën, që i kishte bërë pasi kishte mbaruar studimet. Atje kishte shkuar për të mësuar më shumë për kulturën dhe gjuhën.

Shukrije Ramadani nga Qendra Kulturore e Kosovës në Cyrih tha pyetja e tryezës “ A  dini ende shqip?” duhet t’i parashtrohet studentëve që pak po i kushtojnë rëndësi të mësuarit të shqipes e jo panelistëve.

“Nëse ka të shkosh flitet gjermanisht kuptohet që të tërheq gjermanishtja se të vjen më lehtë me komuniku në gjermanisht por meqë unë 6 vite kam jetuar në Kosovë atëherë ka ndryshuar gjithçka. Mua tash më shumë më tërheq të flas shqip se gjermanisht. Tash shumë më lehtë flas në shqip se gjermanisht,  thotë studentja Lorena Ramadani, e cila pasi është lindur dhe rritur në Zvicër, para gjashtë viteve ka shkuar të jetojë në Kosovë.

“Së paku një herë në javë flasim mes studentëve vetëm shqip”

Atdhe Gashi, Qëndrim Shtufi dhe Zef Duhanaj janë disa nga shumë studentë që i takuam në këtë tryezë. Ata studiojnë në drejtime të ndryshme por i bashkon interesimi për të mbajtur kontakte me gjuhën me të cilën janë rritur, prandaj kanë ardhur këtu për të mësuar diçka më shumë në këtë drejtim.

“Me thënë të drejtën, pothuaj të gjitha që u folën këtu unë i kam të njohura, por megjithatë ia ka vlejtur të vinim”, thotë Qëndrimi, student i ekonomisë në Universitetin e Cyrihut. Kjo për faktin se është edhe një rast më shumë për të kultivuar shqipen në takim me kolegë-e dhe me ligjëruesit e pranishëm.

I pyetur nëse edhe me kolegët flet shqip, ai, në një shqipe pa të meta thotë se jo gjithmonë por megjithatë mjaft shpesh. “Së paku një herë në javë në takimet që i kemi me shoqatën, ia japim vetes për detyrë të flasim vetem shqip”, thotë Qëndrimi, të cilin e pohojnë edhe Atdheu, student në ETH dhe Zefi, në ekonomi.