Lajme

Brukseli i qartë: S’ka liberalizim vizash pa i përmbushur kriteret

Bashkimi Evropian edhe një herë ka ripërsëritur se Kosovës i mbesin edhe dy kritere të papërmbushura për liberalizimin e vizave, demarkacioni dhe luftimi i korrupsionit

Kosova nuk do të marrë liberalizimin e vizave derisa nuk i përmbush edhe dy kriteret e fundit që ia ka vendosur Bashkimi Evropian, demarkacionin ma Malin e Zi dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto kritere Brukseli ua ka rikujtuar edhe një herë autoriteteve në Prishtinë, se vizat nuk hiqen pa i përmbushur kriteret.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa gjatë Samitit të Triestës, tha se Kosova ka përmbushur 94 nga 95 kriteret e kërkuara duke përmendur vetëm përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi si kriter të paplotësuar.

Por, në Bruksel thonë ndryshe.

Maja Kocijançiq është zëdhënëse e përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Frederica Migherini. Në një përgjigje përmes postës elektronike për Ekonomia Online, thotë se Kosova duhet të vazhdojë të tregojë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit të nivelit të lartë.

Ajo përmendi takimin e presidentit Hashim Thaci me kreun e Komisionit Evropian, Jean Clode Juncker, ku u diskutua në lidhje me përmbushjen e këtij kriteri, duke porositur që punë në luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit duhet të vazhdojë.

“Në një takim me presidentin Thaçi më 9 shkurt, presidenti Juncker përgëzoi përparimin që Kosova ka bërë në këtë drejtim kohët e fundit, duke përfshirë edhe mbledhjen e të dhënave për rastet e nivelit të lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por, kjo punë duhet të vazhdojë ende”, ka porositur ajo.

Koçijançic thotë se Kosova ka tentuar që të miratojë demarkacionin e kufirit me shtetin fqinj, Malin e Zi, por pa sukses. E kjo përpjekje po vlerësohet nga BE-ja.

“Komisioni gjithashtu njeh përpjekjet që Kosova ka bërë për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Siç parashikohet në propozimin e Komisionit të majit 2016, ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është një nga kërkesat për liberalizimin e vizave”, sqaroi ajo.

Ndonëse kryeministri Mustafa po përmend vetëm demarkacion si kusht, zëdhënësja e BE-së thotë se kryeministrit në detyrë, në muajin prill i janë bërë të qarta punët që e presin në mënyrë që kosovarët të lëvizin pa viza në zonën Schengen. Sipas Kocijançiq, Komisioni është plotësisht i vetëdijshëm për rëndësinë që liberalizimi i vizave ka për popullin e Kosovës, por kjo mbetet në dorën e institucioneve vendëse.

Komisioni Evropian tashmë ka dhënë rekomandimin formal për heqjen e vizave për Kosovën, por me dy kushte shtesë, demarkacioni me Malin e Zi dhe luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit. Pasi që institucionet e Kosovës të plotësojnë këto kushtet Këshilli i Bashkimit Evropian, ku vendosin ministrat e brendshëm të vendeve anëtare me shumicë të kualifikuar duhet ti thotë po liberalizimit.