Bota

Brukseli synon ta bëjë euron tërheqëse për shtetet anëtare të BE-së

Komisioni Evropian synon ta bëjë euron më atraktive për vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë miratuar ende monedhën evropiane, tha sot eurokomesari për ekonomi i BE-së, Pierre Moscovici.

Qëllimi i BE-së është që të jetë edhe më e fortë pas daljes së Britanisë së Madhe nga Unioni. Propozimi do të shpallet javën e ardhshme, sipas një rishikimi për të ardhmen e Eurozonës, e cila është pjesë e një përpjekjeje për të ringjallur Bashkimin, pavarësisht Brexit-it dhe rritjes së euroskepticizmit.

Anëtarët e BE-së, me përjashtim të Britanisë dhe Danimarkës, janë obliguar për të miratuar euron. Moscovici shpjegoi se shtetet anëtare duhet të avancojnë gradualisht drejt adoptimit të euros, por KE nuk ka autoritet për të detyruar asnjë vend, shkruan albinfo.ch.

Në disa vende të BE-së qytetarët janë kundër futjes së euros. Në Poloni, për shembull, 57 për qind e qytetarëve e kundërshtojnë futjen e euros, ndërsa shumica e kroatëve, hungarezëve dhe rumunëve janë për pranimin e euros.