Kosova

BSPK-ja e shqetësuar për numrin e punëtorëve të vdekur në vendet e punës

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës përmes një komunikate ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me ngjarjen e djeshme ku në vendin e punës humbi jetën një punëtor.

Derisa aksidentet në vendet e punës veç po rriten, BSPK-ja shpreh indinjatë të thellë për jo gatishmërinë e Qeverisë për të reflektuar sa i përket mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë në punë, përcjell albinfo.ch.

Edhe përkundër faktit që BSPK-së nga takimet e fundit me kryeministrin i është premtuar se do të jetë në dialog të vazhdueshëm dhe se kërkesat e tyre do të trajtohen me kujdesin maksimal, aktualiteti po tregon se nuk po ndërmerren hapat konkretë nga punëdhënësit për të krijuar ambient dhe kushte më të sigurta pune, por as nga organet kompetente të vendit që të bëjnë një mbikëqyrje me rigoroze lidhur me sigurinë e punëtorëve në punë.

BSPK shpreh keqardhje për ndodhinë e djeshme (në Fushë-Kosovë) ku në vendin e punës humbi jetën një punëtor dhe njëherit u bën thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin hapa konkretë që punëtorët, sidomos të sektorit privat, të kenë mbrojtje dhe siguri më të madhe në punë.