Fotolajmi

Bukuria e jashtme tek një vajzë, si “qershiza mbi tortë”

Intervistë me Edolinda Fetajn, modele dhe pjesëmarrëse në finalen e “Miss Earth Schweiz 2017” që u mbajt në janar të këtij viti

 

Edolinda Fetaj është 19 vjeçare me prejardhje nga Deçani. Është e lindur dhe e rritur në Zvicër, ku bashkë me familjen jeton në kantonin e Solothurnit. Linda është një modele e njohur në Zvicër që nga fëmijëria, ndërsa suksesi më i madh i saj deri më tash ishte pjesëmarrja në finalen e “Miss Earth Schweiz 2017” që u mbajt në janar të këtij viti. Ajo punon si infermiere. Dëshiron të ndihmojë njerëzit me aftësi të kufizuar, kurse pëlqen të shëtisë shumë vende të botës.

Albinfo.ch: Fillimisht, na thuaj pak si filloi rruga jote drejt modelimit?

Edolinda Fetaj: Dëshirën për të qenë modele e kisha që në fëmijëri. Në atë kohë kam qenë imazh i një reviste për fëmijë “Maky” në Zvicër si dhe kam sfiduar për “Barbie” dhe “C&A”.

Suksesi më i madh deri më tash mund të konsiderohet pjesëmarrja jote në finalen e “Miss Earth Schweiz 2017”. Çfarë mbresash ke nga ky spektakël?

Ishte një përvojë shumë e mirë për mua dhe momente të paharruara. Arrita të jem njëra prej nëntë finalisteve të këtij spektakli. Pas spektaklit “Miss Earth Schweiz” më janë ofruar mundësi të shumta në këtë biznes. Kam pranuar kërkesa për modelim dhe për fotoshooting për kompani të njohura në Zvicër. Përvoja e fituar nga ky eveniment, më ka dhënë kurajë për të marrë pjesë edhe në gara të tjera të bukurisë.

Për cilat kompani/firma keni reklamuar?

Janë të shumta kompanitë dhe shtëpitë e modës për të cilat kam reklamuar, po i veçoj vetëm disa nga ato, siç janë: “Bonprix”, “Tabou”, “Califashionmode”, “Marydosstyle” si dhe kam sfiluar për disa shtëpi të modës të fustaneve. Po ashtu, kam bërë fotoshooting me shumë fotografë të njohur në Zvicër.

Këto ditë kemi parë edhe një fotoshooting me fotografin shqiptar në Zvicër, Admir Saitin. Për çfarë është bërë ky set fotografish?

Me Admirin ishte një testshooting, ndërsa tani kemi planifikuar një fotoshooting special.

Më shumë i pëlqen sfilatat në skenë apo fotografitë para aparatit?

Të dyja të sjellin emocion dhe ndjenjë të mirë. Të dalësh në skenë dhe të sfilosh para publikut, është bukur kur dëgjon duartrokitjet e të pranishmeve, por edhe para kamerës apo fotoaparatit është ndjenjë e veçantë. Shpesh herë mendohet se të fotografohesh është lehtë, megjithatë, ka momente të vështira, lodhje, por asnjëherë nuk bën të dorëzohesh dhe në fund kur e sheh rezultatin, harron të gjitha.

Të qenët femër e bukur, a ka qenë avantazh për ty?

 

Për të qenë një femër e bukur për mendimin tim nuk do të thotë vetëm pamja e jashtme. Janë disa karakteristika që e bëjnë një femër të bukur siç është: inteligjenca, respekti, kultura, morali e të tjera. Pamja e jashtme mund ta kompletojë një femër të bukur apo si thuhet, është vetëm një qershizë mbi tortë.

 

E përmende se ke dëshirë të marrësh pjesë edhe në të ardhmen në gara të bukurisë. Ke pasur ndonjë ofertë nga Kosova për gara të tilla?

I kam disa oferta, por aktualisht për shkak të angazhimeve të mia në Zvicër  nuk kam mundësi të jem në Kosovë. Në të ardhmen nëse do të gjej më shumë kohë të lirë, me dëshirë do kisha marrë pjesë.

Kur një femër është modele dhe e njohur, ofertat edhe nga meshkujt janë të shumta. Ty, a të janë shtuar ofertat?

Është e vërtetë se ofertat shtohen, por mendoj se ende jam e re. Kam obligime të tjera të cilat nuk me lejojnë të mendoj për ndonjë mashkull.

 

Me këtë thoni se nuk është askush në zemrën tuaj?

Jo, momentalisht nuk jam e dashuruar.

 

Si duhet të jetë një mashkull për ty. Cilat janë gjërat që kërkon nga një mashkull për të qenë partner i jetës suaj?

Për të qenë një mashkull partner i jetës sime, duhet të jetë patjetër shqiptar. Jam rritur me këtë mendim dhe nuk vjen në konsideratë asnjë nacionalitet tjetër. Pastaj, duhet të jetë familjar, të ketë respekt dhe të më mbështetë në të gjitha sferat e jetës.

 

Më shumë do të pëlqeje një djalë nga Kosova apo shqiptar nga diaspora dhe pse?

E thash edhe më lartë. E rëndësishme për mua është që të jetë shqiptar.

Të ndërrojmë temë. Çfarë je më profesion apo çfarë studion?

Jam infermiere. Prej muajt shtator do të filloj studimet në drejtimin e mjekësisë, gjegjësisht anestezisë.

Cila do të ishte dëshira e jote, të cilën mundohesh çdo ditë ta realizosh?

Dëshira ime është ta përfundoj shkollimin, të kem sukses në punë dhe në modelim si dhe shëndet në familje.

 

Cila është modelja jote e preferuar, që ëndërron edhe ti të bëhesh?

 

Modelja ime e preferuar është Heidi Klum. Prej që kam qenë e vogël, jam simpatizuese e saj. Është një femër natyrale dhe jo mendjemadhe.

 

Je e pasionuar pas veshjeve të shtrenjta apo nuk ka rëndësi kjo për ty?

Nuk është patjetër të vishem me rroba të shtrenjta. Ajo që më pëlqen edhe e blej. Ndonjëherë një rrobë më e lirë duket më e bukur se ajo e shtrenjta.

 

Sipas syrit të një modeleje, si vishen shqiptarët në Zvicër dhe çfarë kishe thënë se duhet ndryshuar?

Mendoj se gjenerata e re në Zvicër është në hap me trendin evropian të veshjes.

 

Partneri im duhet të jetë patjetër shqiptar!

Për të qenë një mashkull partner i jetës sime, duhet të jetë patjetër shqiptar. Jam rritur me këtë mendim dhe nuk vjen në konsideratë asnjë nacionalitet tjetër. Pastaj, duhet të jetë familjar, të ketë respekt dhe të më mbështetë në të gjitha sferat e jetës.

 

Heidi Klum, modelja e preferuar

Modelja ime e preferuar është Heidi Klum. Prej që kam qenë e vogël, jam simpatizuese e saj. Është një femër natyrale dhe jo mendjemadhe.

 

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/bukuria-e-jashtme-tek-nje-vajze-si-qershiza-mbi-torte/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.