Turizëm

Bum turistik në Zvicër

Sezoni i verës ka shkuar mirë në Zvicër: Numri i bujtjeve është rritur me 5.9 për qind. Në total, Zyra Federale e Statistikave regjistroi 21.3 milionë bujtje.

Bëhet fjalë për 1.2 milionë bujtje më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan albinfo.ch.

Falë motit të mirë, numri i bujtjeve gjatë gjithë muajve nga maji deri në tetor ishte më i lartë se në vitin paraprak. Rritja ishte më e theksuar në muajin qershor, me një rritje prej 9.5 për qind, pasuar nga muaji i vjeshtës, tetorit me 7.6 për qind më shumë se një vit më parë.

Kërkesa e mysafirëve të huaj të bujtjeve u rrit më shumë se ajo e banorëve. 12.1 milionë bujtje janë rezervuar nga mysafirët e huaj, që është 832.000 ose 7.3 për qind më shumë se në vitin e kaluar.

Rezervimet në vend u rritën me 4 për qind ose 356,000 natë në 9.2 milionë. Një pjesë e madhe e mysafirëve të huaj erdhën nga Azia.

Kërkesa në rritje ka përfituar të gjitha 13 rajonet turistike. Regjioni i Bernës shënoi plusin më të madh me 8.4 për qind dhe 240 000 bujtje.

Sipas njoftimit, bujtjet në Valais u rritën me 7.9 për qind, ndërsa ato të rajonit të Cyrihut u rritën me 7 për qind. Në Ticino, rritja ishte 6.5 për qind dhe në Grisons 5.9 për qind.