Bota

Bundestagu miraton ligjin mbi tarifat rrugore për të huajt

Dhoma e Ulët e Parlamentit gjerman, Bundestagu, miratoi një ligj kontravers për të aplikuar tarifa për makinat e huaja në autostradat gjermane.

Ligji, i cili nga shtetet e tjera anëtare të BE-së dhe Komisioni Evropian u vlerësua si diskriminues dhe ishte iniciuar një padi në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, do të hyjë në fuqi pasi të miratohet edhe nga Dhoma e Lartë e parlamentit.

Ndryshe, shtetasit gjermanë do të përjashtohen nga pagesa e tarifave me anë të kompensimit me tarifat vjetore për regjistrimin e automjeteve, të gjithë udhëtarët e tjerë të huaj do të duhet të paguajnë një shumë deri në 130 euro në vit, në qoftë se ata duan të shfrytëzojnë autostradat gjermane.

Kritikat nga Brukseli dhe vendet e tjera të BE-së, si Holanda dhe Polonia, të cilat besojnë se Gjermania diskriminon shoferët e shteteve të tjera, ishin të amortizuara pjesërisht pas dhjetorit, kur qeveria në Berlin njoftoi se çmimi i tarifave do të varet nga niveli i ndotjes së çdo automjeti.

Për të përmbushur kërkesat e fqinjëve dhe BE-së, Gjermania ka rënë dakord për shoferët e huaj dhe pronarët e automjeteve të pasagjerëve se do të ketë vinjeta afatshkurtra që do të zgjasin disa ditë. Kostoja e tyre për 7 ose 10 ditë në shumicën e vendeve të BE-së është dhjetë euro.