Sport

Bunjaku flet për krizën e St. Gallenit

Albert Bunjaku ka treguar për krizën që e ka kapluar skuadrën e St. Gallenit, duke thënë se shpreson që këtë krizë ta kalojnë sa më shpejt

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, në një intervistë për të përditshmen zvicerane ‘Blick’ ka folur për krizën e skuadrës zvicerane, St. Gallen, përcjell albinfo.ch.

St. Gallen është në vendin e parafundit me dhjetë pikë, aq sa ka edhe vendi i fundit, Thun. “Unë i kuptoj se tifozët janë të pakënaqur. Mendoj se në vetëm një ndeshje kemi gabuar, atë ndaj Vaduzit. Më pas kemi pasur ulje dhe ngritje. Ndaj Thunit kemi luajtur mirë dhe kemi fituar. Ndaj Baselit kemi gabuar vetëm në rezultat”, ka thënë Bunjaku.

Humbja e fundit ishte nga Vaduzi në shtëpi me rezultat 0:2. “Nuk kam mundur të fle gjatë gjithë natës. Të hënën grupi jemi takuar prapa dyerve të mbyllura, pa trajner dhe kemi diskutuar direkt për problemet. Gjithashtu kam shprehur mendimin tim. Dua që gjërat të shkojnë përpara”, shtoi tutje sulmuesi me përvojë.

Ndeshja e ardhshme është ndaj Luzernit, aty ku sulmuesi i Kosovës shpreson se do të këndellen.