Integrimi

Bunjaku: “Po, në Winterthur vepron një celulë e ISIS-it”

"Po, unë mendoj se mund të flitet për një celulë të ISIS-it në Winterthur. Personat që “tërheqin penjtë”, mbase edhe ata janë në kët qytet, supozon Bunjaku

Qyteti Winterthur ka një problem me islamin radikal. Ky konstatim dëgjohet së paku nga dita kur, para rreth një viti, mediet zvicerane i pushtoi fotografia e një babai të dëshpëruar  shqiptar nga ky qytet. Ai po kërkonte vajzën dhe djalin, të dy të mitur, që i kishin ikur në Siri, të rekrutuar ga ISIS-i

Pas këtij, janë paraqitur edhe disa raste tjera të rekrutimit të të rinjve nga Winterthuri në radhët e xhihadistëve, duke i dhënë qytetit epitetin e “vatrës së xhihadizmit” në Zvicër.

Së fundi, eksperti i ekstremizmit islamik dhe gazetari Kurt Pelda doli me deklaratën se qëndrojnë në mënyrë të sigurt pohimet se Winterturi është njëfarë “bastioni i xihadizmit” në Zvicër. Ai ka thënë për gazetën “Landbote” të të martës se ekzistojnë dëshmi të qarta se ekziston një celulë e ISIS-it terrorist rreth xhamisë “An`Nur”. Pelda pohon se pjesëtarët e celulës nuk janë në udhëheqjen e xhamisë por megjithatë gravitojnë në të dhe bëjnë propagandën e tyre.

Por, kreu i kësaj xhamie në po të njejtin artikull e kundërshton me këmbëngulje një gjë të tillë.

Lidhur me këtë dukuri, shumë medie kanë konsultuar Blerim Bunjakun, politkan i SP-së nga ky qytet dhe njeri me lidhje të mira në mesin e besimtarëve myslimanë të këtushëm.

Në mesin e këtyre medieve ka qenë edhe televizioni publik i Zvicrës SRF që i ka marrë Bunjakut një intervistë.

“Politikani i SP-së nga Winterthuri, Blerim Bunjaku nuk dëshiron më ta heshtë problemin. Winterturi konsiderohet në Zvicër si një qytet me veçanerisht shumë simpatizantë të grupit terrorist “Shteti Islamik”. Ndërkaq mbetet e kontestueshme se çfarë roli ka në gjithë këtë xhamia e Winterthurit “An`Nur”, thuhet në hyrje te emisionit, transmeton albinfo.ch.

Pastaj Bunjaku thotë se gjashtë të rinj nga Winterthuri tashmë kanë dashur të shkojnë në Siri për të luftuar. Ai vetë është mysliman dhe nuk dëshiron që ta heshtë më ose ta mohojë këtë problem.

“Winterturi ka një problem me islamistët radikalë”, ka thënë ai për emisionin “Regionaljournal Zürich Schaffhausen”.

Blerim Bunjaku i cili është afarist, politikan dhe përgjegjës për shkollat e një pjese të Winterthurit, ka themeluar shoqatën “Fair Winti” (Grupi Vullnetar i punës, Winterthur). Në këtë shoqatë, per fillet e themelimit të së cilës ka raportuar edhe albinfo.ch, pritet që të debatojnë së bashku grupime të ndryshme myslimane dhe të religjioneve tjera nga Winterthuri. Në të do të marrë pjesë edhe përfaqësuesi i xhamisë “An`Nur”. Takimi i parë është planifikuar për muajin dhjetor.

Ndërsa në një intervistë dhënë portalit Watson, Blerim Bunjaku thotë se shumëçka flet për ekzistimin e një celule të ISIS-it në Winterthur. “Po, unë mendoj se mund të flitet për një celulë të ISIS-it në Winterthur. Personat që “tërheqin penjtë”, mbase edhe ata janë në kët qytet, supozon Bunjaku. Por ai thekson se “nuk bëhet fjalë për imamët ose predikuesit. Bashkësitë islame në Wintertur janë kundër radikalizmit dhe këtë e kanë theksuar tashmë mjaft shpesh”.

Lidhur me shoqatën që e ka krijuar, Bunjaku thotë se synimi i saj është që ekstremistët të izolohen dhe të mos u jepet një platformë. Mirëpo, thekson politikani i ri “dëshiroj që të mos jem unë por qyteti i Winterthurit ai që e merr përgjegjësinë mbi vete”, përcjell albinfo.ch fjalët e Blerim Bunjakut. I pyetur për arsyen, ai thotë: “Unë po eksponohem me këtë grup pune dhe kjo është errezikshme për mua, për familjen. Do të duhej të ishte detyrë e qytetit që të angazhohet për bashkëjetesën paqësore në Winterthur”, thotë ai, duke u shprehur se deri tash ka pasur edhe kërcënime, ndonëse indirekte.

Emisioni i srf mund të shikohet në këtë link:

http://www.srf.ch/news/regional/zuerich-schaffhausen/winterthur-hat-ein-problem-mit-radikalen-islamisten

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/bunjaku-po-ne-winterthur-vepron-nje-celule-e-isis-it/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.