Kosova

I burgosuri i vë zjarr qelisë, rrezikon veten dhe tre të burgosur të tjerë

Nga ky incident disa të burgosurve u ishte keqësuar gjendja shëndetësore por pas marrjes së tretmanit mjekësor ata sërish janë kthyer në pavijon

Një i burgosur, i dënuar për vrasje, i ka vënë flakë dhomës së burgut në Qendrën Korrektuese të Dubravës, duke e rrezikuar jetën e tij por edhe të tre të burgosurve të tjerë. Nga ky incident disa të burgosurve u ishte keqësuar gjendja shëndetësore por pas marrjes së tretmanit mjekësor ata sërish janë kthyer në pavijon, raporton KTV.

U.d e drejtorit të Burgut të Dubravës, Zyrafete Imeraj thotë se zjarrin e shkaktoi një i burgosur, i cili njihet për problemet, të cilat i shkakton në vazhdimësi.  Ndërsa shton se për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme profesionale për trajtimin e këtyre rasteve, menaxhmenti është detyruar që edhe ata të qëndrojnë në dhoma së bashku me të burgosurit e tjerë.

Për këtë incident ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, meqenëse disa herë kishte rekomanduar që ky i dënuar të trajtohej në QKUK  për shkak të mungesës së kushteve në burg.