Zhvillim

Bursa për praktikë në Bundestagun gjerman, një shans i mirë për studentët kosovarë

Jeni më i ri se 30 vjeç dhe nëse njihni mirë gjuhën gjermane, atëherë ju keni një mundësi të shkëlqyeshme për të mësuar më shumë rreth politikës gjermane. Parlamenti gjerman ofron “Bursën Ndërkombëtare për Zhvillim”, për të cilën mund të aplikojnë edhe kosovarët

Parlamenti gjerman tash e 30 vjet është duke kontribuar në forcimin e zhvillimit demokratik me anë të programit “Bursa Ndërkombëtare e Parlamentit”. Qëllimi i bursës është që studentëve nga vende të ndryshme të botës t’u jepet mundësia për t’u njohur nga afër me demokracinë gjermane dhe në veçanti me sistemin parlamentar gjerman.

Në një intervistë ekskluzive për Express, udhëheqësi i Seksionit për Politikë, Medie, Kulturë dhe Protokoll në Ambasadën Gjermane, Marten Menger, ka folur rreth mundësisë që kjo Ambasadë u jep studentëve kosovarë, për t’u bërë pjesë e Parlamentit gjerman.

‘‘Gjatë qëndrimit pesëmujor të tyre në Gjermani, bursistët do të kryejnë një praktikë tremujore në një zyrë të një anëtari të Parlamentit Gjerman (Bundestagut). Është kjo një mundësi e njëhershme, (unike) për t’u njohur me punën e një deputeti, për të përjetuar proceset vendimmarrëse politike dhe për të mbledhur përvojë personalisht dhe drejtpërdrejt në një zyrë të Parlamentit“, ka deklaruar Menger.

Të rinjtë kosovarë do të kenë mundësinë që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e këtij programi deri më 30 qershor.
Qëllimi i bursës është që studentëve nga vende të ndryshme të botës t’u jepet mundësia për t’u njohur nga afër me demokracinë gjermane dhe në veçanti me sistemin parlamentar gjerman. Ne shpresojmë që bursistët kur të kthehen në atdheun e tyre t’i marrin me vete përvojat e fituara gjatë qëndrimit dhe të angazhohen atje në politikë dhe zhvillimin e demokracisë. Në programin IPS deri tani kanë marrë pjesë më shumë se 2.500 pjesëmarrës nga 41 shtete të ndryshme, sqaron Menger për gazetaexpress.com.
Gjatë qëndrimit pesëmujor të tyre në Gjermani, bursistët do të kryejnë një praktikë tremujore në një zyrë të një anëtari të Parlamentit Gjerman (Bundestagut). Është kjo një mundësi unike për t’u njohur me punën e një deputeti, për të përjetuar proceset vendimmarrëse politike dhe për të mbledhur përvojë personalisht dhe drejtpërdrejt në një zyrë të Parlamentit.

Përpos kësaj, studentët gjatë semestrit veror do të kenë mundësi të ndjekin ligjëratat në Universitetin Humboldt të Berlinit, apo në një universitet tjetër berlinez. Një pikë e veçantë e programit është vizita në zonën zgjedhore të deputetit përkatës, gjatë së cilës bursistët mund të mësojnë se si i mbajnë kontaktet deputetët gjermanë me qytetarët e vendit.

Çdo vit një numër i konsiderueshëm i studentëve kosovarë ka konkurruar për bursën shumë të lakmuar. Pasi që të gjitha shpenzimet e qëndrimit, akomodimit, sigurimit shëndetësor etj., i mbulon bursa, ajo është atraktive për të gjithë ata, të cilët interesohen për politikën dhe i plotësojnë kushtet për konkurrim, thotë më tutje Menger
Të rinjtë e interesuar nga Kosova mund të konkurrojnë për Bursën Ndërkombëtare të Parlamentit, nëse kanë njohuri shumë të mira të gjuhës gjermane, janë të interesuar në politikë dhe kanë përfunduar studimet themelore (bachelor). Përpos kësaj ata nuk duhet të kenë tejkaluar moshën 30-vjeçare. Informata më të hollësishme lidhur me programin IPS, kushtet, si dhe dokumentacionin për konkurrim gjenden në ueb-faqen tonë www.pristina.diplo.de/ips në gjuhën shqipe dhe në linkun www.pristina.diplo.de/ips-srb në gjuhën serbe. Data e fundit e konkurrimit është 30 qershori.