Tematike

Caktohet vendi i qendrës federale për azilkërkuesit problematikë

Bazuar në ligjin e rishikuar të azilit, qendrat speciale janë paraparë si vende për pranimin e azilkërkuesve të cilët e pengojnë rendin në qendrat federale të strehimit ose rrezikojnë sigurinë dhe rendin publik

Të martën është marrë vendimi për vendin ku do të ngrihet njëra nga dy qendrat speciale federale për azilkërkuesit problematikë. Këshilli Federal është përcaktuar për një truall në komunën Les Verrieres të Kantonit të Neuchatel-it, të cilin tashmë e ka blerë për këtë qëllim.

Në këtë qendër mendohet të strehohen deri në  60 azilkërkues për një periudhë kohore që nuk mund të jetë më e gjatë se 140 ditë.

Ende mbetet e paqartë se kur do të hapet kjo qendër. Së pari duhet të bëhet meremetimi i godinës ekzistuese, shkruajnë në një komunikatë të përbashkët  Sekretariati Shtetëror për Migracion (SEM), Kantoni Neuchatel dhe komuna Les Verrieres.

Për të shmangur frikën eventuale që mund të kenë banorët lokalë nga hapja e kësaj qendre, autoritetet kanë vendosur ura komunikimi të rregullt me ta.

Bazuar në ligjin e rishikuar të azilit, qendrat speciale janë paraparë si vende për pranimin e azilkërkuesve të cilët e pengojnë rendin në qendrat federale të strehimit ose rrezikojnë sigurinë dhe rendin publik.

Dy qendra të tilla duhet të ngrihen në Zvicër, njëra, në Zvicrën frankofone (kjo në Les Verrieres) dhe një tjetër në Zvicrën gjermane, për të cilën ende nuk është caktuar vendi. Ai është duke u negociuar ende.

Në këto qendra, personeli kujdestar dhe ai i sigurisë do të jetë i përforcuar në mënyrë që të mundësohet një bashkëjetesë paqësore të të strehuarve me banorët lokalë. Qendrat do të kenë një mbikëqyrje më të madhe të hyrjeve dhe daljeve por ato megjithatë nuk janë të tipit të mbyllur.

Në vitin e parë të punës, në Les Verrieres do të mund të vendosen maksimalisht 20 persona. Më vonë, gradualisht do të rritet plotësimi i kapacitetit të qendrës deri në 60 persona të strehuar.

Siç dihet, ligji i rishikuar për azilin është votuar në shkallën prej 66.8% në referendumin e mbajtur më 5 qershor të këtij viti. Ky ligj në formën e tij të re parasheh që procedurat e azilit të kryhen nga fillimi deri në mbarim kryesisht në qendrat federale. Dhe në bazë të një plani nacional, qendrat federale të azilit duhet të ndahen sipas funksioneve të tyre specifike.