Kosova
Calmy Rey, Don Marjani dhe “shpallja” e pavarësisë së Kosovës në Wil
10 vite nga "shpallja e pavarësisë” që u bë në kishën ku ai ishte protagonist, don Marjan Marku flet lidhur me këtë ngjarje të cilës i kishte dhënë vulë prania e Micheline Calmy Rey, përkrahëses më të zëshme të pavarësisë së Kosovës
Më 17 Shkurt të vitit 2008, ditën kur në Parlamentin e Kosovës, në Prishtinë, do të bëhej shpallja e Pavarësisë së Kosovës, në një qytet të vogël në lindje të Zvicrës, në Wil, shqiptarët kishin një “shpallje paralele” të kësaj pavarësie. Në një kishë katolike të Wilit, e ftuar nga Don Marjan Marku, asokohe famullitar dhe drejtues i Misionit Katolik Shqiptar, kishte ardhur mikja e dëshmuar zvicerane e shqiptarëve, Micheline Calmy Rey. Ajo njihej tashmë për “thyerjen e akullit” rreth pavarësisë së Kosovës. Së paku që nga viti 2005, kryediplomatja e Zvicrës nuk linte rast gjatë aktiviteteve të saj diplomatike pa përmendur domosdonë që Kosova të bëhet shtet i pavarur.
Sot, kur kanë kaluar plot 10 vite nga shpallja e pavarësisë së Kosovës por edhe nga “shpallja” që u bë në kishën ku ai ishte protagonist, don Marjan Marku flet për albinfo.ch lidhur me këtë ngjarje jo të zakonshme. Ngjarje të cilën edhe sot e gjithë ditën sikur e mbulon njëfarë misteri, pasi që shumëkush konsideronte se prifti shqiptar ose mysafirja e tij e lartë apo edhe të dy, `e kanë ditur datën`.
“Micheline Calmy Rey, e kam ftu me 12 dhejtor 2007, mirëpo ajo ka vendosur me ardhë për Krishtlindje me 17 shkurt në 2008 dhe në fakt ky ka qenë një rast i jashtëzakonshëm, ku saktësisht në ditën e pavarësisë ajo ishte kryetare e shtetit dhe ministreshë. Ajo ishte në meshën tonë, ku ne i kemi shprehur faleminderit shtetit të Zvicrës dhe personalisht asaj për mbështetjen e gjithë shqiptarëve në Zvicër. Natyrisht se sa herë që e përkujtoj me kthen në kohë, sepse është një datë me shumë emocione, një lindje e re e një shteti dhe populli, është shumë domethanëse”.
Tutje Marjani tregon se historin e kësaj date. Pikërisht me 17 shkurt ai e priste Micheline Calmy Rey nga treni, dhe me të zbritur, e pyeti se: A e dini se sot do të shpallet Pavarësia e Kosovës si shtet i pavarur?”.
“Ajo me tha jo nuk e di dhe unë ju drejtova se është një shenjë prej qielli. Andaj ajo edhe në librin e saj “Si e dëshiroj Zvicrën” pikërisht e ka shkruar edhe këtë fjalë se si i ka thënë meshtari ‘kjo është një shenjë prej qielli’. Prandaj gjithë këto ndodhi në atë ditë në meshën e St.Gallen, duke nisur nga ardhja e saj, shpallja e pavarësisë, ishin me të vertet një shenjë nga qielli”, tha ai.
Don Marjani tregon se në atë ditë gjitha mediat e Zvicrës kanë shkruar për Kosovën dhe kanë cituar fjalen e tij, “faleminderit Zvicër”.
I pyetur nga Albinfo.ch, se a është i kënaqur në këto 14 vite me komunitetin shqiptarë në Zvicër, Marjani shprehet se ishte shumë i kënaqur me integrimin e shqiptarve dhe se nuk janë më ato gjeneratat e para që nuk e kanë ditur mire as gjuhën.
“Integrimi i tyre është shumë i mirë në shoqërinë zvicerane dhe kulturën e saj dhe nuk mund ta mendoj Zvicrën pa shqiptarë. Prania e shqiptarve në këtë shtet është edhe pasuri e Zvicrës, e po ashtu me punen e tyre kontribuojnë dhe investojnë në Kosovë” tha ai.
“Nuk `e kam ditur datën` por kjo ditë dhe kjo vizitë ka pasur diçka profetike”
“As unë, sinqerisht nuk di se si ka ndodhur kjo rastësi por ka qenë një ditë e rëndësishme dhe ndoshta profetike, ose ndoshta “një shenjë nga qielli” siç i kam thënë zonjës Michelin Calmy Rey gjatë vizitës së saj në Wil të Sankt Gallen-it”, e nis Don Marjan Marku shpjegimin që gjatë këtyre dhjetë viteve me siguri i është dashur ta përsërisë me qindra herë, i detyruar nga kureshtja e bashkatdhetarëve.
“Kjo datë ka lënë një kujtim të shtrenjtë tek zonja Calmy Rey po ashtu edhe te mbarë pop ulli shqiptar. Ajo më vonë përherë e ka cekur këtë rast, si në takime me udhëheqësit politikë të Kosovës, si në librin e saj “Si e dëshiroj Zvicrën”, ashtu dhe në vizitën e saj të fundit, në gusht të vitit të kaluar në komunën e Vitisë, në Kosovë. Për të ishte një ditë e jashtëzakonshme dhe e bukur siç e ka thënë kur ishte në Wil SG”.
Më tutje Don Marjani flet për albinfo.ch lidhur me `parahistorinë` e ardhjes së Calmy Rey në meshën shqiptare, pikërisht më 17 shkurt 2008. “Është e vërtetë se më 12 dhjetor të vitit 2007 unë ia pata drejtuar zonjës Michelin Calmy Rey ftesën për të marrë pjesë në një meshë tonën. Ajo gjatë Krishtlindjes kishte vendosur për të ardhur në Wil, ndërsa mua më ka lajmëruar më 5 janar të vitit 2008.
Don Marjani
“Ne, thjesht, donim t`i thoshim asaj dhe Zvicrës: `Faleminderit!`”
Qëllimi i vetëm i ftesës sime ka qenë për të falënderuar Hyjin, Zvicrën dhe personalisht zonjën Michelin Calmy Rey për të gjitha të mirat që populli shqiptar ka fituar dhepërjetuar këtu, në Zvicër. Po ashtu kam dashur të falënderoj edhe zonjën Michelin Calmy Rey personalisht, për guximin dhe angazhimin e saj rreth Kosovës, duke qenë se ajo ishte ndër politikanët e parë ndërkombëtarë që edhe në Beogradka folur për një “pavarësi formale” të Kosovës. Pra thjesht, që në emër të të gjithë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Zvicër, t`i them asaj dhe gjithë zviceranëve: “Faleminderit”. Ishte një kënaqësi e madhe që atë ditë në të gjitha kanalet televizive të Zvicrës u trasmetua fjala ime falënderuese e shqiptuar në këtë ngjarje: `Faleminderit Zvicër!`, thotë prifti shqiptar, i cili tash udhëheq një famulli të madhe që mbulon një regjion të Zvicrës Lindore.
I pyetur rreth përgatitjeve të meshës që doli të mos ishte krejt e zakonshme, Don Marjani thotë, ajo ishte një meshë e zakonshme, ndërsa e jashtëzakonshme ishte simbolika e falënderimit, ku fëmijët e veshur me veshje kombëtare zvicerane dhe shqiptare-kosovare, kënduan këngën “Danke” (Faleminderit). Po ashtu ishte e jashtëzakonshme paraqitja e dhuratave, ku ishte një shportë e vogël me dhe (tokë) nga Kosova dhe nga Zvicra, simbolikë kjo që kufijtë të mos jenë vija që ndajnë por që bashkojnë njerëzit”. Ndërsa një rrëfim interesant ka Don Marjani rreth ardhjes së Calmy Rey në Wil gjegjësisht rreth modestisë e transparencës që e cilëson atë dhe shtetin ku jeton, sa i përket sigurisë.
Calmy-Rey erdhi pa “xhipa”, pa përcjellje, me tren, si gjithë populli
“Dihet se vetë Calmy Rey ka ardhur me tren deri në Wil SG. Unë e kam pritur në stacionin e trenit në Wil me një polic i cili ka qenë i veshur me rroba civile. Dhe gjatë rrugës, nga stacioni i trenit e deri tek kisha, ajo i ka thënë policit se nuk kishte dëshirë t`i qëndronte askush afër. `Sepse kjo është një ditë paqësore dhe nuk kam frikë nga askush`, ishte arsyetimi i saj. Pra, përveç atij polici civil nuk di që ka pasur truproje apo siguri tjetër. Askush nuk ka qenë i penguar për të hyrë në Kishë edhe pse Kisha ka qenë e stërmbushur me njerëz dhe kështu standartet e sigurisë kanë qenë të tejkaluara”, përfundon Don Marjani kapitullin e organizimit dhe sigurisë.
“Edhe pse kjo ditë ka qenë një meshë, një rit fetar, një meshë falenderuese, kjo ditë ka qenë një gëzim i jashtëzakonshëm për të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Zvicër. Më kujtohet, pas përfundimit të meshës, duhej që zonjën Michelin Calmy Rey ta përcillja deri në stacionin e trenit në Wil, por pasi që rrugët ishin të mbushura dhe të bllokuara me makina nga festimi i shqiptarëve për ditën e pavarësisë, më është dashur që atë ta përcjell në një stacion tjetër të trenit, deri në Uzwil. Pra ishte një gëzim i madh dhe i veçantë për të gjithë ne!
Nga ajo kohë ai thotë që me zonjën Michelin Calmy Rey ka shkëmbyer disa herë postë në mes veti.“Po ashtu kam qenë i ftuar për vizitën e saj në vitin e kaluar në Komunën e Vitisë por për shkak të obligimeve nuk kam mundur rë marr pjesë”.
Calmy Rey: “Kjo është një ditë paqësore, nuk kam frikë nga askush”
“Gjatë rrugës, nga stacioni i trenit e deri tek kisha, ajo i ka thënë policit se nuk kishte dëshirë t`i qëndronte askush afër. `Sepse kjo është një ditë paqësore dhe nuk kam frikë nga askush`, ishte arsyetimi i saj.
E-Diaspora
-
Kurti takon deputetin shqiptar të Parlamentit të Zvicrës Mësohet se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim deputetin e Këshillit...
-
Kori i Filharmonisë së Kosovës do të përformojë me një program të mrekullueshëm në Itali
-
Krijohet Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar
-
Blerina, mes grave që po zhvillon inteligjencën artificiale në Itali
-
Familja shqiptare në Diasporë që mbi njëzet vjet çon përpara një art, atë të këpucëtarit
Jeta në Zvicër
-
SBB do të drejtojë 49 trena shtesë për në Ticino në fundjavën e Pashkëve Për festën e Pashkëve, kantoni më jugor i Zvicrës përjeton zakonisht një fluks udhëtarësh nga zona...
-
Ka rënë përdorimi i parave të gatshme në Zvicër
-
Studimi më i madh rreth kanabisit në Zvicër fillon në Cyrih
-
A mund t’ia dilni pa pasur veturë në Zvicër?
-
Gjuha shqipe, gjuha e huaj më e folur në Zvicër – pas anglishtes