Lajme

Calmy-Rey: “Kosova ka luftuar për pavarësinë e saj, ashtu sikurse Zvicra dikur”

“Vendi im Zvicra është angazhuar pothuajse në mënyrë të natyrshme për pavarësim të Kosovës, se vërtet dukej disi krejt e natyrshme që ta fitojë pavarësinë një vend i cili, ashtu sikur edhe vendi ynë dikur, luftonte për lirinë e vet"

Gjatë parakalimit nëpër qytet ish presidentja zvicerane hasi në shumë vetura me targa të Zvicrës, por edhe në shumë qytetarë që asaj i drejtoheshin për mirëseardhje në gjuhën franceze e gjermane. Kjo, veç tjerash, i dha asaj ndjenjën se ndodhej në mes të të vetëve, në vendin e vet. Gjatë ecjes nëpër qytet ajo takoi edhe futbollistin e njohur shqiptar Milaim Rama, të cilin e falënderoi për kontributin e tij në futbollin zviceran. albinfo.ch ka mbuluar vizitën e mikes së shquar të shqiptarëve.

Pas pranimit të zonjës Calmy-Rey në Zyrën e Kryetarit Haliti, ku iu nda mirënjohje për gjithë kontributin e saj për Kosovën, së bashku shkuan në sallën e Kuvendit, në shtëpinë e kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani”, ku u pritën me tufa lulesh e me flamuj zviceranë nga të rinj e të reja të qytetit të Vitisë.

E shoqëruar edhe nga zëvendësambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anita Schlüchter Roth, pastaj nga  kryetari i Dhomës së Lartë në Parlamentin e Gjenevës, Eric Leyvraz dhe aktivistë të tjerë lokalë e ndërkombëtarë, zonja Calmy-Rey u bë pjesë e seancës solemne të Kuvendit që iu kushtua pritjes së saj dhe shpalljes “QYTETARE NDERI”.

Në sallën e stërmbushur të Kuvendit me kuvendarë dhe mysafirë të ftuar seancën e hapi kryesuesi i këtij Kuvendi Naim Pira. Me këtë rast ai lexoi vendimin e këtij organi për shpalljen “QYTETARE NDERI” të zonjës Calmy-Rey, ku thuhet: “Me propozimin e kryetarit të Komunës së Vitisë z. Sokol Haliti dhe në bazë të nenit 12, paragrafi 12.1 dhe paragrafi 12.2 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Kuvendi i Komunës së Vitisë, në mbledhjen e mbajtur më 27 korrik 2017, ka marrë vendim për shpalljen “QYTETARE NDERI” të Komunës së Vitisë, ish-presidenten e Konfederatës së Zvicrës, zonjën Micheline Calmy-Rey me motivacion për kontributin e dhënë në sensibilizimin e opinionit publik në Zvicër, Evropë e më gjerë, për domosdoshmërinë e krijimit të shtetit të pavarur e sovran të Republikës së Kosovës, si dhe në mbështetje të vazhdueshme të mërgatës shqiptare dhe integrimin e saj në jetën shoqërore e publike në Zvicër, si shteti me më së shumti qytetarë të Komunës së Vitisë, të cilët jetojnë dhe veprojnë atje.

Çmimi, vazhdimësi e shprehjes së mirënjohjes së Kosovës për Zvicrën

Ky çmim është vazhdimësi e falënderimit që diaspora kosovare i bën shtetit zviceran, përmes një pllake falënderimi në vitin 2008, e të cilën e pati pranuar presidentja Calmy-Rey, theksoi ndër të tjera zoti Pira, i cili më pas ftoi kryetarin Haliti që t’ia dorëzojë vendimin e qytetares së nderit.

Kryetari Haliti në fjalën e tij tha se kontributi i zonjës Calmy-Rey dhënë në proceset për pavarësinë e Kosovës do të jetë i paharruar ndër gjenerata., raporton albinfo.ch. “Kontributi i presidentes Calmy-Rey ishte i gjithanshëm, jo vetëm për t’i shtyrë proceset përpara drejt shtetësisë së Kosovës, por edhe për pozitën e mërgimtarëve që jetojnë në Zvicër. Gjithnjë e përkushtuar që migrantët e shteteve të ndryshme të botës të gëzojnë respektin, të drejtën dhe liritë e  tyre  u cilësua si një udhëheqëse karizmatike nga shqiptarët që jetojnë e veprojnë në shtetin helvetik. Kosova ka një numër të madh bashkatdhetarësh që jetojnë në shtetin zviceran, të cilët punojnë dhe janë të integruar në jetën shoqërore e institucionale”, ka thënë Haliti. Ai më tutje tha se Qeveria zvicerane po jep një kontribut të madh edhe pas luftës, duke ndihmuar në zhvillimin e Kosovës, përmes projekteve të ndryshme, të cilat janë evidente dhe shumë të nevojshme. Prandaj, i jemi falënderues shtetit zviceran për gjithë mbështetjen që i ka dhënë shtetit tonë në vazhdimësi” përfundoi z. Haliti.

Krenare dhe e emocionuar me shpalljen qytetare nderi

Të pranishmëve në seancë, me një fjalë rasti, dhe me emocione të përziera iu drejtua edhe zonja Micheline Calmy-Rey për të thënë: “Jam krenare dhe shumë e emocionuar që sot po shpallem qytetare nderi e komunës së Vitisë. Gjithashtu, një nga sheshet e Vitisë, po pagëzohet me emrin tim. Jam e nderuar me këtë veprim të Kuvendit Komunal që ka aprovuar këtë vendim të iniciuar nga kryetari Haliti, i cili pos që është një udhëheqës i suksesshëm, gjithashtu është edhe humanist i madh”. Më tej ajo potencoi angazhimin e saj dhe të Zvicrës që nga viti 2005 në lobimin për shtetësinë e Kosovës, duke luajtur edhe rolin e një avokateje të denjë për të ardhmen e Kosovës.

Lidhur me këtë Zonja Calmy-Rey para kuvendarëve të Vitisë, e ngazëllyer dhe plot mburrje, shprehu qëndrimin e saj rreth Kosovës edhe në Këshillin e Sigurimit, dhe u shpreh: “E mbrojta kauzën e Pavarësisë së Kosovës edhe në këshillin e Sigurimit, karshi qëndrimit të kundërt që kishte Rusia për këtë çështje. Andaj edhe ishte një sfidë për të mbajtur qëndrimin me argumente shumë reale. Konfliktet e kanë copëtuar vendin tuaj dhe kjo ka prekur edhe Zvicrën, pasi që në vendin tonë jetojnë rreth 200 mijë shqiptarë. Shqiptarët (Kosova) janë Kantoni i 27-të i Zvicrës, pasi që ata pos që po bëjnë shumë për Kosovën, po kontribuojnë edhe në jetën institucionale, publike e shoqërore në Zvicër”.

Pritje madhështore zonjës Calmy-Rey iu bë edhe në panairin rajonal  me titull “T’i mbrojmë vlerat tona tradicionale”, ku ishin të ekspozuara shumë ushqime tradicionale, si dhe prodhime bujqësore e artizanale nga fermerë e fermere të komunës së Vitisë, shkruan albinfo.ch. nga Vitia. Me këtë rast grupi “Gratë e Beguncës”, pos specialiteteve nacionale, kishin përgatitur një tortë e zbukuruar me flamurin zviceran, dhuratë enkas për zonjë Calmy.

Sheshi Micheline Calmy-Rey

Akti më solemn i kësaj vizite ishte shpalosja e pllakës në sheshin me emrin e zonjës Micheline Calmy-Rey, e cila, dukshëm e emocionuar, shpalosi këtë pllakë, për çka publikisht dhe me përzemërsi falënderoi kryetarin Haliti, por edhe gjithë popullin e Komunës së Vitisë.

Nga ky shesh i sapo emërtuar, zonja Calmy-Rey falënderoi edhe njëherë qytetarët duke u shprehur: Sot ndjehem shumë e emocionuar për këtë nder dhe për këtë titull që ma dhatë, pra që më shpallët “Qytetare Nderi” të Komunës së Vitisë dhe që e emërtuat këtë shesh me emrin tim.

“Vendi im Zvicra është angazhuar pothuajse në mënyrë të natyrshme për pavarësim të Kosovës, se vërtet dukej disi krejt e natyrshme që ta fitojë pavarësinë një vend i cili, ashtu sikur edhe vendi ynë dikur, luftonte për lirinë e vet. Zonja e zotërinj, sot ju më pranuat në mesin tuaj dhe prej sot jam e juaja dhe besoj se do të vij shpesh këtu”, u shpreh nga sheshi i saj zonja Calmy-Rey.

Ndërkaq Kryetari Haliti nga ky shesh iu drejtua të pranishmëve duke e quajtur këtë aktivitet si më të rëndësishmin që nga 2014-ta “kur ne nderuam ambasadorin Holbruk,  dhe ne sot po nderojmë miken e madhe të shqiptarëve të Kosovës, gjithashtu edhe të Vitisë, ish-presidenten e Konfederatës së Zvicrës, zonjën  Micheline Calmy-Rey. Ne kemi bërë edhe emërtimin e këtij sheshi me emrin e zonjës së madhe, asaj që na ka ndihmuar dhe ka kontribuar shumë, bashkëpunëtoren e vjetër të presidentit historik Ibrahim Rugova, zonjën Calmy-Rey”.

Gjatë qëndrimit në Viti ajo vizitoi edhe Kishën Katolike të qytetit ku u prit nga famullitari i saj, dom Kastriot Idrizi, i cili po ashtu për kontributin e saj në njohjen e Kosovës dhe bashkëpunimin me këtë komunitet i ndau një mirënjohje, raporton albinfo.ch. Më tej zonja Calmy-Rey vizitoi edhe kishën në fshatin Letnicë ku u prit nga famullitari i atjeshëm, dom Marijan Lorenci.

“Ne themi shpesh se Kosova është kantoni i 27-të i Zvicrës”

Në kuadër të kësaj vizite pati edhe një prononcim për medie ku pasuan disa pyetje si: A do të ndodh së shpejti liberalizimi i vizave për kosovarët, në të cilën zonja Calmy-Rey tha: “Shpresoj për ju, por kjo nuk varet prej meje, për sa varet prej meje, unë them po. E kemi një diasporë të madhe të Kosovës në Zvicër, gati 200 mijë kosovarë jetojnë në Zvicër dhe liberalizimi i vizave do t’i thjeshtonte shumë gjëra”.

Pati pyetje edhe për shqiptarët në Zvicër që janë të angazhuar në politikë, në të cilën ajo tha se është shumë mirë që njerëzit që vijnë nga Kosova angazhohen atje në kuvende të ndryshme dhe se në politikë është një gjë e mirë, sepse ata jetojnë aty dhe duhet të marrin pjesë në jetën e tyre, dhe e dini që në Zvicër pushteti është shumë i decentralizuar dhe mendimi i qytetarëve është shumë i rëndësishëm. Unë besoj që bëjnë shumë për çështjen e Kosovës, besoj që bëjnë gjithashtu shumë për Gjenevën dhe kantonin e tyre.

Pyetjes se çfarë mesazhi do të japë për qytetarët që jetojnë e punojnë në Zvicër, ajo iu përgjigj: “Vërtet ne jemi shumë të kënaqur me qytetarët e Kosovës të cilët janë në diasporë, ne themi shpesh ata janë kantoni i 27-të i Zvicrës, ne kemi raporte të mira dhe vërtet janë lidhja mes Zvicrës dhe Kosovës dhe jam shumë e lumtur që në kantonin e Gjenevës, prej nga vij unë, jetojnë vërtet një numër shumë i madh i qytetarëve që vijnë nga Vitia.

Do të vij më shpesh këtu!

Zonja e zotërinj, sot ju më pranuat në mesin tuaj dhe prej sot jam e juaja dhe besoj se do të vij shpesh këtu”, u shpreh nga sheshi i saj zonja Calmy-Rey.

“Ndjehem e nderuar nga kryetari i Vitisë”

Pyetjes së albino.ch se si ndjehet për faktin që Kosova ka 38 komuna dhe nga gjitha këto komuna Vitia përzgjodhi që ta nderojë me emërtimin e një sheshi me emrin e saj, zonja Calmy me plot gojë iu përgjigj: “Ndjehem shumë e nderuar, vërtet kryetari i kësaj komune është një njeri i cili është shumë i angazhuar edhe për dialogun, por i cili është edhe një humanist i madh dhe unë ndjehem shumë e nderuar”.