Shkurt.ch

Cassis nuk pranon ta identifikojnë vetëm me kantonin prej nga vjen

"Është e drejtë imja që në vendin tim të jem pjesë e qeverisë”, ka thënë ai duke kundërshtuar reduktimin e tij në prejardhjen nga kantoni Tiçino

Pas dhënies së betimit si këshilltar i ri federal i Zvicrës, Ignazio Cassis ka mbajtur fjalën e tij përuruese. Ai me këtë rast ka theksuar se Zvicra italiane, pas 18 vitesh mungesë, po bëhet sërish pjesë e Këshillit Federal.

Në zgjedhjen që i bënë deputetët atij, ai sheh forcimin e vullnetit të zviceranëve për përbashkësi, unitet në kuptimin kushtetues.

Më tutje Cassis ka folur për specifikat e regjionit prej nga vjen ai, gjegjësisht për ato të regjioneve kufitare, transmeton albinfo.ch. Këto regjione ndjejnë presion më të madh se pjesa tjetër e vendit, ka thënë pjesëtari i ri i qeverisë. “Me vendimin tuaj, ju e keni njohur dhe pranuar edhe këtë realitet”, është shprehur ai.

Cassis ka thënë se për të është shumë i rëndësishëm respekti për mendimet e të tjerëve. “Liria është gjithmonë liri për të menduar ndryshe”, ka cituar ai Rosa Luxemburgun.

Ndërkaq ai ka reaguar ashpër kur, në konferencën pe¨r shtyp është pyetur nga gazetarët lidhur me atë se çfarë do t`i sjellë Qeverisë Federale si një politikan nga Kantoni Tiçino. “A e pyetni edhe Ueli Maurer-in (kolegun e tij në qeveri) se çfarë sjell ai si njeri që vjen nga Zvicra gjermane? Është e drejtë imja që në vendin tim të jem pjesë e qeverisë!”.