Shkurt.ch

Me Cassis-in, për herë të parë është zgjedhur një “i huaj” në Qeverinë e Zvicrës

"Të huajt e natyralizuar në rastin e Cassis-it shohin se në Zvicër edhe personat si ata kanë shansin për të arritur deri në postin e këshilltarit federal. Ky është një sinjal i cili sot u është dërguar të huajve në Zvicër”

Zgjedhja e Ignazio Cassis-it në Këshillin Federal, instancën më të lartë politike të Zvicrës përbën një precedent të veçantë. Ai është i pari që zë këtë post duke mos qenë zviceran për nga origjina por i natyralizuar. Cassis, është italian me prejardhje ndërsa shtetësinë zvicerane e ka fituar vetëm si 15 vjeçar, shkruan 20minuten.ch. Vetëm pak kohë para se të zgjidhej, ai kishte hequr dorë nga shtetësia e dyfishtë.

Deri tash nuk ka ndodhur asnjëherë që një person me prejardhje të huaj të arrijë të bëhet ministër (këshilltar federal), transmeton albinfo.ch. Janë shumë të rralla edhe rastet e zgjedhjes për deputet nacional të personave me prejardhje të huaj.

Nisur nga kjo, Cassis me zgjedhjen e tij përveç që pasqyron diversitetin gjuhësor të Zvicrës në organet federale, fut edhe precedentin e permendur më lartë. Këtë fakt e ka vënë në pah politologu dhe profesori universitar me prejardhje nga Bosnja, Nenad Stojanoviç në një intervistë për 20minuten.ch.

Ai e quan “zhvillim historik” këtë zgjedhje. Kjo do të thotë, sipas tij, se “të huajt e natyralizuar në rastin e Cassis-it shohin se në Zvicër edhe personat si ata kanë shansin për të arritur deri në postin e këshilltarit federal. Ky është një sinjal i cili sot u është dërguar të huajve në Zvicër”.