E-Diaspora

Çdo javë arrestohen nga 50 shqiptarë në Britani

Krimet më të shumta për të cilat arrestohen shqiptarët janë vrasjet, trafikimi i drogës, pastrimi i parave, veprat penale me karakter seksual si dhe trafikimi i qenieve njerëzore

Sipas Agjencisë Kombëtare të Luftës Kundër Krimit, NCA, shifrat e reja të publikuara në Britani tregojnë se krimi i organizuar dhe ai i rëndë shqiptar po rritet me shpejtësi të madhe, duke u shndërruar në një kërcënim të madh në rrugët e Britanisë.

Gjithnjë sipas këtyre statistikave, çdo javë arrestohen 50 shqiptarë. Vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga tabolidi, “DailyMail”, rreth 2800 të dyshuar shqiptarë janë arrestuar, çka përbën një rritje prej 8 përqind me një vit më parë, raporton “TCH”.

Sugjerohet se 1 në 11 nga 32 mijë shqiptarët e Shqipërisë që janë rezidentë  në Angli dhe Uells janë arrestuar edhe pse disa prej tyre janë arrestuar disa herë, përcjell albinfo.ch.

Mendohet se shifra reale e shqiptarëve që jetojnë në Britani faktikisht është shumë më e madhe se shifra e dhënë prej 32 mijë vetëve, pasi një numër i konsiderueshëm jetojnë në të zezë dhe numri i të ardhurve ilegalisht vazhdon të jetë mjaft i lartë.

Në Londër është shënuar numri më i lartë i arrestimeve, me mbi 1300 veta, me një rritje prej 14 përqind çdo vit, ndërkohë që rritje arrestimesh dhe aktiviteti kriminal ka edhe në Anglinë Qendrore dhe zonën e Mançesterit.