+355 ngjallë reagime
Në Kosovë deklarohen të gatshëm që brenda gjashtë muajve t’i bëjnë ndryshimet për +355, Serbia reagon në ITU, ndërsa në Shqipëri apriori shprehen të gatshëm për kodin.
Projektrezoluta e fundit e nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës e cila i mundëson Prishtinës zyrtare që ta shfrytëzojë kodin telefonik të Shqipërisë +355 nëse nuk i lejohet kodi i vet, ka ngjallë reagime gjithandej opinionit në Ballkan. Në Prishtinë konsiderohen të gatshëm për marrjen e kodit shqiptar, në Beograd vijnë reagime kundër, në Shqipëri i japin mbështetje apriori, ndërsa ndërkombëtarët e konsiderojnë si proces të komplikuar.
Shefi i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), Ekrem Hoxha tha se kjo Projektrezolutë inkurajon autoritet kosovare, ndërsa nëse ka vullnet politik dypalësh, sipas tij ARTK, brenda gjashtë muajve do të bëhet legjislacion e nevojshëm për ndërrim kodi.
“Në qoftë se ky vullnet merr formë nga të dyja shtetet, ne si ART, pas qartësimit pas marrjes së vendimit, brenda një periudhe 6 mujore do të ngrijmë kornizën e legjislacionit sekondar për të jetësuar një vendim të tillë. Me telefoninë fikse kjo mund të arrihet më shpejtë në afate kohore, ndërsa më telefoninë mobile kompleksiteti është më i shtuar”, shprehet Hoxha.
Ministri serb për Tregti të Jashtme dhe të Brendshme dhe Telekomunikacion, Rasim Lajiq, ka thënë se zëvendësimi i kodit telefonik nga ana e Kosovës, paraqet shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ai ka thënë se sot e ka dërguar një notë proteste në Unionin Ndërkombëtar për Telekomunikacion.
Lajiq, siç ka raportuar REL, ka thënë se në letër ka kërkuar nga Unioni që të pengojë zbatimin e rezolutës, sepse “nëse ajo zbatohet, në praktikë do të nënkuptojë që të gjitha telekomunikimet ndërkombëtare me Kosovën do të kalonin nëpërmjet Shqipërisë, me të cilën do të shkelej parimi i ekstrateritorialitetit në përdorimin e numrave ndërkombëtarë”.
Të enjten, ligjvënësit kosovarë kanë miratuar një projektrezolutë me e cila parashikon që Kosova, në rast të mosmarrjes së kodit të vet telefonik, atëherë t’i lejohet të shfrytëzojë kodin telefonik të Shqipërisë +355 dhe heqjen e kodeve telefonike të Serbisë +381, të Monakos +377 dhe të Sllovenisë +386.
Në projektrezolutë gjithashtu i bëhet thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë vendim për zëvendësimin e kodeve telefonike aktuale që i shfrytëzon vendi me kodin telefonik të Republikës së Shqipërisë.
Kanë kaluar më shumë se katër vjet që nga shpallja e pavarësisë, ndërsa Kosova akoma nuk ka kodin shtetëror telefonik, kjo për faktin se nuk është anëtare e OKB-së. Anëtarësimi në këtë të fundit i mundëson që të bëhet anëtare e Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), e cila automatikisht i mundëson kodin e vet.
Në mungesë të këtij kodi, operatorët e telefonisë mobile dhe telefonisë fikse, shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare, telefonia mobile "Vala" shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin (+381) të Serbisë.
Për ekspertin e telekomunikacionit, Agron Dida, marrja e kodit shqiptar aktualisht është zgjidhja më e mirë. “Është zgjidhje e shkëlqyeshme, kjo është një kontribut sikur autostrada kombëtare, kjo është një autostradë telekomunikuese kombëtare dhe është zgjidhje e shkëlqyeshme”, ka thënë ai.
Në Tiranë, ndërkaq projektrezolutë nuk shihet si diçka e thjeshtë dhe e lehtë e realizueshme. Për këtë çështje u deklarua edhe Sekretari i Përgjithshëm i Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, Hamadoun Toure, i cili po viziton Shqipërisë.
Në një konference të përbashkët shtypi me kryeministrin Sali Berisha, tha se një gjë e tillë mund të shkaktojë probleme teknike. Sekretari i Përgjithshëm i ITU ka nënvizuar se kodin e saj Kosova do ta marrë pasi të njihet nga OKB-ja.
“Përdorimi i kodit të një vendi tjetër do të krijojë shumë probleme teknike, sepse vetëm tani janë 6 bilion telefona celularë dhe secili nga ato është unik. Kemi një rregull mjaft të qartë në këtë drejtim dhe unë do t’i këshilloja të gjithë palët të punonin në këtë mënyrë transparente dhe në bashkëpunim”, tha Toure, raporton “Shekulli”.
Lidhur me çështjen e rezolutës së miratuar nga parlamenti i Kosovës u deklarua edhe kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit tha se kjo çështje do të diskutohet me ekspertët e fushës dhe të financës.
“Lidhur me këtë rezolutë, në parim jam plotësisht dakord dhe në parim është ide e shkëlqyer, por do të ishte mendimi im përfundim pasi të konsultohesha me ekspertët e fushës dhe ata të financave. Se në rast se, në rrafshin financiar, Kosovës i krijon ndonjë shmangie kjo gjë, natyrisht do të mendoja që duhet të studiohej më hollësisht. Në parim jam plotësisht dakord”, tha Berisha.
Moti
Bernë
- 9 °C
Sht, 25/05/2013 - 17:20
Prishtinë
- 15 °C
Sht, 25/05/2013 - 17:30
Cyrih
- 8 °C
Sht, 25/05/2013 - 17:20
Shkup
- 22 °C
Sht, 25/05/2013 - 18:00
