Diaspora, 600 milionë € remitenca në Kosovë
Rreth 33.2 për qind e remitancave vijnë nga Gjermania, 23.1 për qind nga Zvicra, 7 për qind nga Italia, ndërsa 5.5 për qind nga Austria...
Mërgimtarët kosovarë që punojnë në Zvicër dhe në Gjermani janë kontribuuesit më të mëdhenj me të hyra në Kosovë, shuma e të cilëve kalon 300 milionë euro remitenca në vit. Sipas statistikave ekonomike, brenda një viti rreth 600 milionë euro hynë në Kosovë nga mërgimtarët, ndërsa më shumë se 56 për qind prej tyre, vijnë nga Zvicra e Gjermania.
Sipas këtyre parametrave, diaspora kosovare vazhdon të luaj një rol vendimtar në ngritjen e mirëqenies sociale dhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Këto vlerësime dolën gjatë një tryezë me temën ”Roli i diasporës kosovare në zhvillimin ekonomik të Kosovës”, organizuar nga Ministria e Diasporës në partneritet me Institutin për Hulumtime Zhvillimore-Riinvest.
Ministri kosovar i Diasporës, Ibrahim Makolli tha se efektet e mërgimtarëve nuk janë vetëm sjellja e kapitalit në Kosovë, por e rëndësishme, sipas tij, është edhe përvoja, standardet dhe metodologjia e punës në vendet ku jetojnë dhe veprojnë.
Ai, gjithashtu, ka potencuar se investitorët e huaj njësi matëse e konsiderojnë investimin e mërgimtarëve në vendin e origjinës.
Ndërsa sipas të dhënave të Institutit Riinvest-it remitancat gjatë viteve kanë ndryshuar, por që lakorja ka shkuar vetëm përpjetë. “Në vitin 2004 janë regjistruar 357 milionë euro remitenca; në vitin 2005-418 milionë; 2006-467 milionë; 2007-515 milionë; 2008-535 milionë; 2009-585 milionë; 2010-584 milionë dhe 2011-584 milionë euro”, thuhet në raportin e institutit Riinvest.
Raporti i Riinvest-it tregon se 70 për qind e emigrantëve dërgojnë mjete financiare te familjet e tyre në Kosovë. Ndërsa sipas ministrit Makolli, rreth një e treta e popullit të Kosovës vazhdon të jetojë jashtë vendit. “Ky numër përfshin kryesisht pjesën e re të të larguarve nga Kosova nga vitet e 60-ta e këndej”, tha ai.
Brenda vitit, siç tha në tryezë, emigrantët dërgojnë të holla në vlerë rreth 600 milionë euro. “Këto dërgesa përbëjnë rreth 14 për qind të GDP-së në Kosovë”, u tha në tryezë. Sipas drejtoreshës së Institutit Riinvest, Diellza Gashi, dërgesat nga jashtë përdoren kryesisht për konsum, dhe vetëm 3 për qind e vlerës kanalizohet për investime.
“Gjysma e remitencave në para të gatshme janë përdorur për konsum, 18 për qind janë përdorur për ndërtimin e shtëpive dhe për riparime, 17 për qind për qëllime shëndetësore, 15 për qind për arsim dhe vetëm një pjesë modeste prej 3 për qind përdoret për investime”, tha drejtoresha Gashi.
Arsye kryesore pse emigrantët nuk planifikojnë të investojnë në Kosovë, sipas një hulumtimi që ka bërë Riinvest, u tha se janë mungesa e informacioneve nga institucionet rreth mundësive të investimit, korrupsioni, si dhe politikat e pafavorshme fiskale.
Ndërkohë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se emigrantët duhet të orientohen më shumë drejt investimeve. Ndryshe sipas këtij hulumtimi, Kosova zë vendin e 15-të në listën e shteteve që marrin më së shumti remitenca në botë.
Sipas një hulumtimi që ka zhvilluar Riinvest, 33.2 për qind e remitancave vijnë nga Gjermania, 23.1 për qind nga Zvicra, 7 për qind nga Italia, 5.5 për qind nga Austria. Ndërsa 76 milionë euro të remitancave, të pranuara brenda një viti janë destinuar për vetura.
“1 në çdo 5 familje pranojnë remitanca nga jashtë. Afërsisht 70 për qind e diasporës dërgojnë para në Kosovë. Ndërsa 90 milionë euro në vit të pranuara nga diaspora, përdorën për qëllime shëndetësore në familjet në Kosovë. Pjesa më e madhe e tyre shpenzohen prapë jashtë (Maqedoni e Serbi)”, thuhet në raport.
Ndryshe, diaspora ka mbi 2 miliardë euro kursime në bankat evropiane, pothuajse sa gjithë Kosova. Mosinvestimi i këtyre parave në Kosovë, sipas të intervistuarve nga Riinvest, bëhet bëhet për disa arsyeje edhe politike edhe fiskale.
Moti
Bernë
- 6 °C
Pre, 24/05/2013 - 14:20
Prishtinë
- 18 °C
Pre, 24/05/2013 - 14:30
Cyrih
- 8 °C
Pre, 24/05/2013 - 14:20
Shkup
- 23 °C
Pre, 24/05/2013 - 15:00
