Jelica Grujiq (FIPA): "Investitorët e huaj shohin se në Bosnjë mungon një mentalitet ndërmarrës"

© Jelica Grujic (FIPA)
Me gjithë recesionin dhe krizën politike, Bosnja ka tërhequr 187 M€ (milionë euro) nga investimet e huaja prej janarit deri në shtator 2011. Këto investime janë shpërndarë kryesisht në pasuri të patundshmërisë (52 M€), tregti ( 51 M€) dhe në sektorin financiar (29 M€). Rusia, Serbia, Austria, Sllovenia, Gjermania, Holanda dhe Turqia ishin investitorë të mëdhenj në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) gjatë vitit 2011. Sa u përket projekteve dhe investimeve më të rëndësishme, fillimisht mund të cekët rafineria e ashtuquajtur Brod, si dhe ndërtimi i qendrës së qytetit të Sarajevës (Sarajevo City Centar), për të mos përmendur projektet e iniciuara nga kompanitë Heidelberg Cement, Mercator dhe Al Jazera.
Intervistë me Jelica Grujiq, drejtoreshë e Agjencisë për Promovimin e Investimeve të Huaja (FIPA) në BeH.
Pavarësisht nga një ekonomi globale me ashpërsi dhe vështirësi të papara, investimet e huaja në Bosnjë e Hercegovinë nuk janë zhdukur.
Jelica Grujiq: "Investimet e huaja në BeH në vitin 2011 nuk janë të mëdha, por vazhdimësia e aktiviteteve ekonomike mbetet shumë pozitive në aspektin e imazhit. Një tendencë e njëjtë pritet për vitin 2012. Unë duhet të them se interesi i investitorëve të huaj në Bosnjë e Hercegovinë ka qenë gjithmonë i pranishëm. Megjithatë, duke diskutuar me investitorët unë shoh shumë shpesh se paraja nuk është problem. Pengesa kryesore për përfundimin e projekteve të investimeve është kryesisht mungesa e një mentaliteti që mund ta quajmë ndërmarrës në Bosnjë e Hercegovinë, përveç situatës aktuale në vend. Për të ardhur në BeH të huajt duhet të kenë mundësi të mbështetën në cilësi të partnerëve të Bosnjës, qofshin ato institucione, ndërmarrje apo individë. Në këtë kontekst, boshnjakët të cilët kanë jetuar dhe kanë punuar jashtë vendit janë më të suksesshmit në tërheqjen e investimeve të huaja, sepse ata kanë një mentalitet ndërmarrës më të theksuar".
Cilat janë investimet e planifikuara për vitin 2012?
J.Grujiq: "Ajo që është thelbësore për BeH-në është arritja e ruajtjes së investitorëve të huaj tashmë të pranishëm në vend. Në veçanti, ne duhet të arrijmë të bëjmë që ata të vazhdojnë të investojnë në vend, kështu që me shembullin e tyre ata zgjojnë interes te investitorët e rinj. Investitorët tashmë të pranishëm njohin mirë BeH-në, ata janë të vetëdijshëm për avantazhet, të metat si dhe potencialet e vendit. Prandaj, mund të themi se këta të fundit janë ata të cilët nisin projektet e reja për investime. Kjo ishte e vërteta për vitin 2011, dhe do të vazhdojë të jetë realitet edhe për vitin 2012. Ndër projektet më të mëdha mund të përmendim investimet në Rudnik, në termocentralet në Stanari dhe Ugljevik, në ndërtimin e disa hidrocentraleve të vogla, si dhe në realizimin e qendrës së aeroportit në Sarajevë (Airport Centar Sarajevo). Ndërsa mund të cekim se disa zinxhirë distribuimi (shpërndarëse të mallrave të ndryshme) tashmë veçse janë të pranishëm dhe vazhdojnë të investojnë në BeH. Por ka edhe të tjera rrjete që po vijnë, siç është shembulli me ato gjermane".
Çfarë duhet bërë për të tërhequr kapitalin e huaj?
J.Grujiq: Kjo është një vepër që i përket të gjithëve, institucioneve, kompanive, individëve... Institucionet e vendit duhet të krijojnë një klimë të favorshme për investimet e huaja. Në të njëjtën kohë, çdo person kontribuon, drejtpërdrejt ose tërthorazi, për të krijuar imazhin e një vendi. Disa vjet më parë kemi pasur një farë "mosbesimi" në Bosnjë e Hercegovinë ndaj investitorëve të huaj, sidomos në qytetet e vogla dhe në fshatra, por sot kjo ka ndryshuar. Për të kryer me sukses çdo projekt është e nevojshme të përcaktohen në mënyrë të qartë qëllimet dhe misionet e secilit. Për të tërhequr kapitalin e huaj është e njëjta gjë. Pra, arritje të tilla kanë të bëjnë me përpjekje dhe punë të përbashkëta.
Së shpejti Kroacia do të hyjë në BE. Është e mundur që një pjesë e prodhimit të saj të transferohet në Bosnjë e Hercegovinë. Si mund të tërheqim investitorët kroatë?
J.Grujiq: "Në BeH një total prej 18.8 për qind të importeve vijnë nga Kroacia. Me hyrjen e Kroacisë në BE importet do të shtrenjtohen. Kështu është e mundur që disa kompani eksportuese në BeH do të marrin parasysh fillimin e prodhimit të tyre, ose zgjerimin e kapaciteteve të tyre prodhuese, në veçanti kompanitë kroate të cilat tashmë veprojnë në Bosnjë, siç janë Ledo, Vindija, Kras, Podravka, Belupo, etj. Të mos harrojmë se kompani të tjera ende mund të transferojnë investimet e tyre në BeH, sidomos mendoj se të gjitha këto kompani do të ndërprenë prodhimin e tyre në Kroaci për shkak se ato nuk i plotësojnë standardet strikte të vendosura nga Bashkimi Evropian, siç është fjala për përdorimin e teknologjive të papërshtatshme.
Para se të ndërmarrin një hap të tillë, investitorët e huaj kanë nevojë të sigurohen se ligjet e BeH-së, në aspektin ligjor, rregullor dhe doganor, janë në përputhje me legjislacionin e BE-së, domethënë se ajo që prodhohet në BeH, mund të eksportohet pa problem në vendet e BE-së. Ndërkaq, çështja e mjedisit në të cilën zhvillohet biznesi përbën gjithashtu një pikë vlerësimi. Me të tjera fjalë, nëse vendet e tjera në rajon kanë më shumë avantazhe, atëherë është krejtësisht e natyrshme që këta investitorë do të tërhiqen më shumë nga po ato vende.
- - Rrugëve ilegale në veri të Kosovës, është duke u kontrabanduar (18.05.2012 - 09:36)
- - Në Shqipëri, mbështetet parada gay (18.05.2012 - 08:51)
- - 83 vjeçari dhuron veshkën e tij "formula 1" (18.05.2012 - 08:05)
- - Marrëveshje për promovim të Kosovës (17.05.2012 - 19:49)
- - "Ditët e Gjuhës Gjermane" në Prishtinë (17.05.2012 - 18:34)
- - Promovohet abetarja e përbashkët (17.05.2012 - 14:15)
- - Shtyhet gjykimi kundër Mlladiqit (17.05.2012 - 13:17)
- - Tadiq: Edhe BE-në, edhe Kosovën (17.05.2012 - 12:59)
- - Gjysma e Evropës në Prishtinë (17.05.2012 - 09:54)
- - Kosova e Shqipëria, nderojnë viktimat e fashizmit në Mathausen (17.05.2012 - 09:32)




















































Post new comment