Takimi Thaçi-Daçiq, reagon Ballkani
Takimi i kryeministri Hashim Thaçi me homologun e tij serb, Ivica Daçiq ka ngjallë reagime në opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar të akredituar në Kosovë. Derisa shtetit e pesëshes ndërkombëtare "Quint" e kanë përshëndet takimin, Vetëvendosje e ka kundërshtuar atë, ndërsa kryeparlamentari Krasniqi ka shfaq shumë rezerva.
Vetë kryeministri Hashim Thaçi, ndërkaq këtë takim e ka cilësuar si nismë e re për normalizimin e raporteve fqinjësore me Serbinë. Thaçi ka theksuar se Kosova është e përkushtuar për të përmbushur të gjitha kriteret dhe detyrat që dalin proces integrues, përfshirë edhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dy shtete të pavarura.
"Ky proces, patjetër që do e përshpejtoj integrimin e dy shteteve në BE dhe do të jetë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon", ka thënë Thaçi, i cili gjatë një lidhje direkt me televizionin KTV, tha se pas këtij takimi dhe takimeve vijuese, strukturat paralele do të largohen nga veriu i vendit.
Ndërsa në një intervistë për mediet serbe, kryeministri Ivica Daiçiq tha se takimi ndërmjet baroneshës Catheria Ashton dhe kryeministrit Hashim Thaçi ka zgjatur rreth një orë e gjysmë, ndërsa ideja ka qenë "arritja e ujdisë për dialogun". "U paralajmërua se në muajin nëntor do të mbahet takimi i ardhshëm", tha Daçiq.
"Unë kam lindur në Kosovë dhe Kosova është e imja aq sa është edhe e tij, i kam thënë Thaçit", tha Daçiq, sipas të cilit në këtë takim ia kujtuar kryeministri kosovar, se ka drejtuar "formacionit paramilitar-UÇK". Ndërsa kryeministri Thaçi me këtë rast i ka ofruar homologut serb dyshtetësinë. "Kosova respekton dyshtetësinë. Mund ta marrësh shtetësinë e Kosovës", i ka thënë Thaçi-Daçiqit,
Ambasadat e pesëshes ndërkombëtare (Quint) të akredituara në Kosovë, SHBA, Britani e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, e kanë përshëndetur takimin, duke e vlerësuar si të dobishëm për nismën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një deklaratë të përbashkëta, Ambasadat e Quint-it, janë zotuan se do të punojnë së bashku për të vazhduar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy palëve.
Edhe diplomacia shqiptare i ka përshëndetur taskin ndërmjet dy kryeministrave si dhe ka ofruar mbështetje në këtë proces.
Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, vlerëson vazhdimin e dialogut, në nivel të lartë, si një hap të rëndësishëm dhe në drejtimin e duhur për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, për zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe për zgjidhjen e problemeve praktike që ekzistojnë midis dy vendeve.
"Vazhdimi i dialogut dhe normalizimi i marrëdhënieve është në interes të dy vendeve, si dhe në interes të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe i shërben integrimit të të dy vendeve dhe gjithë rajonit në Bashkimin Evropian", thuhet në njoftimin për media të MPJ-së.
Ndërkaq kritika të ashpra kundër këtij takimi kanë ardhur nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit. Vetëvendosje ia kujtoj kryeministri Hashim Thaçi se në Bruksel ka takuar zëdhënësin e Milosheviçit, trashëgimtarit politik të ‘kasapit të Ballkanit".
"Në Bruksel ndodhi takimi i mezipritur mes kryeministrit Thaçi dhe Daçiçit, trashëgimtarit politik të kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviq. Ky takim u realizua vetëm 24 orë pas miratimit të rezolutës së turpshme të PDK-së dhe AAK-së, të cilës iu bashkua edhe LDK-ja, për bisedime me Serbinë pa kurrfarë kushtesh", konsideron Vetëvendosje.
Bashkimi Evropian, sipas kësaj lëvizjeje, po ia shtron Serbisë rrugën e përshpejtuar të integrimeve nëpërmjet Qeverisë së shantazhuar e të korruptuar të Kosovës. "Serbia po e kontrollon skenën tonë politike nëpërmjet kërkesave të saj të forta ndaj Brukselit, të cilat Brukseli, në formë të tërthortë, po i kthen kah Prishtina", konsideron Vetëvendosje.
Për të mbetur në pushtet, e për të mos i nxjerrë problem ndërkombëtarët, kryeministri Thaçi, sipas një kumtese të Vetëvendosjes, është gatshëm të pranojë gjithçka pa asnjë kusht për Serbinë.
"Ky konstelacion i BE-së me Serbinë hegjemoniste dhe me Qeverinë tonë të kontrolluar e përplot dosje në sirtarët e huaja – e rrezikon esencën e interesit tonë kombëtar dhe krijon probleme të thella e me pasoja afatgjate", konsideron Vetëvendosje.
Edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili vjen nga partia e kryeministri Hashim Thaçi, shpreh shumë rezerva për këtë takim. Ai në një intervistë që i ka dhënë RTK-së, tha se shumë gjëra kanë mbetur të mjegulluara në këtë proces, i cili sipas tij, nuk po shihet se ka fund.
Ndryshe, takimi ndërmjet dy liderëve ka ardhur menjëherë pasi që Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë për normalizimin e raporteve me Serbinë. Rezoluta ishte ngritura nga PDK, partia e kryeministri Hashim Thaçi, ndërsa ishte mbështetur edhe nga dy partitë opozitare, AAK e Ramush Haradinajt dhe LDK e Isa Mustafës.
Reagime përkitazi me këtë takim ka pasur edhe në Serbi. Përfaqësuesi i opozitës, Çedomir Jovanoviq, i cili e përfaqëson Partine Parlamentare Serbe e ka cilësuar objektiv këtë takim.
"Serbët dhe shqiptarët në Kosovë dhe Serbi kanë nevojë për një paqe të qëndrueshme, një politikë e cila i siguron gjenerata e reja se do të jetojnë në paqe", tha ai për Tanjug.
Ndërsa kundër këtij takimi janë deklaruar përfaqësuesit e Partisë Demokratikë të Serbisë, të Vojisllav Kushtunicës. Zëdhënësja e DSS, Petar Petkoviç është deklaruar kundër takimit me kryeministri Hashim Thaçi, i cili, sipas tyre, vazhdon të hetohet për trafikimin organesh.
"Parlamenti serb nuk ka miratuar ende një platformë për bisedimet mbi Kosovën, e as nuk e ka autorizuar askënd për t’u takuar me separatistët shqiptar", konsideron Petkoviq.
Moti
Bernë
- 13 °C
Mar, 21/05/2013 - 15:50
Prishtinë
- 26 °C
Mar, 21/05/2013 - 16:00
Cyrih
- 11 °C
Mar, 21/05/2013 - 15:50
Shkup
- 30 °C
Mar, 21/05/2013 - 15:30
