Shkurt.ch

Cilat janë kantonet më të pasura dhe cilat mbijetojnë nga “lëmosha” e tyre

Kantoni i cili merr më së shumti ose ka varësinë më të madhe nga ndihmat e tilla është Kantoni i Bernës

Federata së bashku me kantonet financiarisht më të fuqishme, vitin që vjen do të japin më tepër për kantonet me resurse më të ulëta, se sa në këtë vit, shkruan srf.ch. Kështu, nga 5 miliardë franga sa ka qenë në vitin 2017, vëllimi i ndihmës që do t`u jepet kantoneve në fjalë do të rritet në 5 miliardë e 100 milionë franga, që është një rritje jo shumë e madhe.

Kantoni i cili merr më së shumti ose ka varësinë më të madhe nga ndihmat e tilla është Kantoni i Bernës, ku janë të përqendruara të gjitha institucionet qendrore të shtetit, shkruan albinfo.ch. Pas Bernës, kantonet me varësinë më të madhe nga ky fond janë Valisi dhe St. Galleni.

Nga ana tjetër, kantonet më të fuqishme dhe njëherësh që japin më së shumti për të tjerët janë kantonet Cyrih, Gjenevë dhe Zug.

Nga kantonet që kanë qenë nga mesi i listës, Kantoni Obwalden është shkëputur drejt kreut, duke u bërë kanton kontribues në fondin në fjalë, transmeton albinfo.ch. Ndërsa e kundërta ka ndodhur me Kantonin Vaud: ai, deri këtë vit ka qenë po ashtu në mesin e listës por ndërkohë ka rrëshqitur drejt fundit, duke hyrë në mesin e kantoneve që kanë nevojë për ndihmë financiare nga federata dhe nga kantonet më të fuqishme.