Sport

Cilat kombëtare evropiane tashmë kanë siguruar Botërorin

Janë kualifikuar direkt: Gjermania, Serbia, Polonia, Anglia, Spanja, Islanda dhe Belgjika

54 shtete evropiane të ndara në nëntë grupe me nga gjashtë kombëtare kanë provuar të sigurojnë fazën finale të Kampionatit Botëror “Rusia 2018” përmes fazës së kualifikimeve.

Ekipet që kanë fituar grupet janë kualifikuar direkt në Rusi, ndërsa nëntë ekipet që përfundojnë në pozitat e dyta renditen në bazë të pikëve, por pa rezultatin ndaj ekipeve që ishin të fundit në grupet e tyre përkatëse.

Nga kjo nëntëshe, tetë skuadrat më të mira ndahen në fazën e “Play-Offit” me eliminim direkt në dy ndeshje vajtje-ardhje, ndërsa ekipi i nëntë eliminohet. Fituesit e këtyre ndeshjeve kualifikohen për Botëror.

Deri tash kanë përfunduar fazën e kualifikimeve grupet C, D, E, F, G dhe I.

Nga këto grupe janë kualifikuar direkt: Gjermania, Serbia, Polonia, Anglia, Spanja dhe Islanda.

Edhe pse pa përfunduar grupi H, Belgjika tashmë ka siguruar pikët e mjaftueshme për kualifikim direkt në Botëror.

Për t’u caktuar fituesit e grupeve kanë mbetur vetëm grupet A dhe B.

Aty në ndeshjen e fundit Franca dhe Suedia luftojnë për vendin e parë të Grupit A, ndërsa Zvicra dhe Portugalia për të parin e Grupit B.

Islanda bëhet shteti më i vogël që merr pjesë në Botëror

Me fitoren 2 me 0 ndaj Kosovës, Islanda siguroi kualifikimin në Botëror duke u bërë njëkohësisht shteti më i vogël që arrin një gjë të tillë.

Ekipi i Heimir Hallgrimssonit triumfoi në Grupin I duke lënë prapa kombëtare si Kroacia, Ukraina e Turqia.

Me vetëm rreth 335 mijë banorë, Islanda bëhet shteti më i vogël që arrin të futet në mesin e 32 kombëtareve në Botëror, shkruan Albinfo.

Para Islandës këtë rekord e mbante Trinidad & Tobago me 1.3 milionë banorë me pjesëmarrjen në Botërorin 2006. Pas tyre ishte Irlanda Veriore me 1.85 milionë banorë, Sllovenia me 2.08 milionë banorë, Xhamajka me 2.89 milionë banorë dhe Uellsi me 3.1 milionë banorë.