Integrimi

Cili është ekipi shqiptar që përfaqëson Austrinë në Dubai?

Është një ekip i përbërë nga futbollistë shqiptarë nga Vjena e Austrisë që është bërë i pakonkurrencë në futbollin e vogël në Austri.

Kjo skuadër është themeluar që nga viti 2007 nga besmtarët e një xhamie shqiptare në Vjenë.

“Ekipi “Xhamia El Buhari” është i themeluar nga xhemati i Xhamisë. Në atë kohë luanim vetëm gjatë vikendeve dhe ekipi ishte i përbërë me lojtarë të moshës mbi 30-vjeçe. Ndërkohë, nga viti 2010 ekipi filloi të rinohet me emra të rinj dhe që prej disa vjetësh jemi të pakonkurrencë në futbollin e vogël – Futsall në bari artificial”, ka thënë për albinfo.ch bashkëthemeluesi i këtij ekipi, Imer Hamiti.

Vetëm brenda dy vjetëve të fundit ekipi shqiptar “Xhamia El Buhari” ka marrë pjesë në 15 turnire në gjithë Austrinë, nga ku ka fituar 13 herë vendin e parë dhe 2 herë vendin e dytë.

Sukseset e njëpasnjëshme të këtij ekipi kanë bërë që ata të përfaqësojnë shtetin austriak në kampionatin botëror të futbollit të vogël në bari artificial që do të mbahet nga data 22-26 prill në Dubai. “Në tetë qytetet më të mëdha të Austrisë janë mbajtur turnire të futbollit të organizuar nga Federata austriake, ku ishin mbi 200 ekipe nga gjithë Austria. Më 12 prill është mbajt turniri final dhe kemi marrë pjesë 32 ekipe finaliste. Në këtë turnir kemi pasur rastin të luajmë edhe kundër lojtarëve kombëtarë të futbollit të vogël të Austrisë.  Megjithatë ne kemi treguar cilësi dhe kemi fituar vendin e parë të këtij turniri, i cili automatikisht na u dha e drejta për të përfaqësuar Austrinë në Dubai”, u shpreh ai.

Imeri tregoi se një javë para se të merrnin pjesë në turnirin për në Dubai, ekipi kishte fituar edhe një turnir tjetër të organizuar nga Federata e futbollit austriak, ku ata fituan të drejtën për të luajtur një vit në Ligën e parë austriake të futbollit të vogël.
Ai tha se të gjitha shpenzimet për pjesëmarrje në turnire i merr përsipër xhamia dhe kryetari i saj, Shkelzen Blakaj.

Ekipi shqiptar është mjaft i motivuar për të fituar edhe vendin e parë në kampionatin botëror në Dubai. “Që prej kur kemi fituar të drejtën për ta përfaqësuar Austrinë në F5 World Cup, ne jemi duke u përgatitur intensivisht dhe jemi duke analizuar çdo detaj. Shpresojmë shumë se do të tregojmë futboll cilësor dhe do të arrijmë të fitojmë edhe këtë turnir”, pohoi futbollisti Imer Hamiti për albinfo.ch.

Ekipi shqiptar “Xhamia El Buhari”, i cili do të marrë pjesë në  F5 Wolrd Cup, përbëhet prej këtyre futbollistëve: Besnik Gashi, Imer Hamiti, Alban Feta, Ylber Përvetica, Florim Gashi, Taulant Zeneli (kapiten), Arlind Krivaqa, Arlind Zylfallari, Dardan Zariqi, Besnik Shehu, Fisnik Kastrati, Majlind Mehmetaj.

Albinfo.ch