Sport

Cliff përkrah pjesëmarrjen e Kosovës në Olimpiadën “Londra 2012”

Ambasadori britanik, ka mbështetur kërkesën e Kosovës që të ketë sportistët e vet në Lojërat Olimpike

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar Ambasadorin e Britanisë së Madhe, Ian Cliff, me të cilin kanë biseduar për mundësitë e pjesëmarrjes së sportistëve kosovarë në Lojërat Olimpike “Londra 2012”, por edhe për projekte të ndryshme sportive dhe kulturore këtu në Kosovë.

“Ministri Krasniqi e falënderoi Ambasadorin Cliff për ndihmën që ka dhënë në çështjen e sensibilizimit të opinionit ndërkombëtar në funksion të pjesëmarrjes së sportistëve kosovarë në LO ‘Londra 2012’.

Ai po ashtu e njoftoi për punët që po vazhdojnë të bëhen që të arrihet ky qëllim, duke vlerësuar se para së gjithash pjesëmarrja e sportistëve të suksesshëm kosovarë në LO ‘Londra 2012’, sidomos xhudistes Majlinda Kelmendi, është humane”, thuhet në kumtesnë e MKRS.

Sipas kumtesës, edhe Ambasadori britanik, ka mbështetur kërkesën e Kosovës që të ketë sportistët e vet në këto Lojërat Olimpike dhe njëherësh ka shprehur gatishmërinë që të japë kontributin e tij në arritjen e këtij qëllimi.

Gjithashtu Ministri dhe Ambasadori kanë biseduar edhe për projekte të tjera për kulturë dhe sport.

Ata janë pajtuar që këtë vit të realizojnë projekte që nxisin pjesëmarrjen e të rinjve nga të gjitha komunitetet në aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive.