Bota

Çmimet e naftës vazhdojnë të bien

Çmimet e naftës në tregjet botërore sot kanë vazhduar të bien pas shpalljes së prodhuesve kryesorë të naftës se nuk do të reduktojnë kuotën e përditshme të prodhimit.

Në New York Stock çmimi i naftës ka shënuar rënie për 58 centë, në 45.31 dollarë për një fuçi.

Nafta bruto amerikane WTI ra nën nivelin e 45 dollarëve për fuçi, për të parën herë që prej prillit të vitit 2009.

Sipas analistit të investimeve në kompaninë Singapor “Phillip Futures”, Daniel Ang, çmimi i naftës do të vazhdojë të jetë i lirë për shkak të paralajmërimeve të organizatës OPEC se anëtarët e saj nuk do të ulin kuotën e prodhimit të naftës deri në mbledhjen e ardhshme të planifikuar për qershor.

Çmimet e naftës filluan të bien që nga qershori i vitit të kaluar, por me shpejtësi nga nëntori, kur OPEC-u vendosi të mbajë të pandryshuar kuotën e prodhimit të përditshme në 30 milionë barel.

Ministri i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Al Mazrui, thatë se OPEC-u nuk është në gjendje të parandalojë uljen globale në çmimet e naftës.

Anëtarët më të pasur të OPEC-ut, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, janë angazhuar për një çmim më të ulët të “arit të zi”, në mënyrë që nga tregu të shtypen prodhuesit me kosto më të lartë të prodhimit.