Kultura

Çmimi “FIDES 2017” Post Mortum për albanologun Robert Elsie

Çmimin e ndarë nga kryeministri Haradinaj për Robert Elsie, e pranoi Artur Metani, mik dhe bashkëpunëtor i albanologut Elsie

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “FIDES 2017” për Filantropinë në Kosovë, që organizohet nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ).

I ftuar të ndajë çmimin “FIDES 2017” Post Mortum për kontributin në ndriçimin e historisë, kulturës dhe jetës së shqiptarëve nga Robert Elsie, albanologut kanadez, i cili ndërroi jetë muajin e kaluar, kryeministri e ka cilësuar këtë si moment prekës për të, përcjell albinfo.ch.

“Është nder për mua si kryeministër, por edhe si shqiptar të nderoj me çmim një personalitet si Robert Elsie, i cili arriti ta njoh kombin tonë aq mirë dhe aq thellësisht. Robert Elsie, gjermano-kanadezi i cili iu përkushtua paraqitjes së tërësisë së artit, kulturës, fotografisë dhe historisë së shqiptarëve”, tha kryeministri Haradinaj,  duke theksuar se e admiron atë për vendin ku pushojnë eshtrat e tij në Thethin e bukur shqiptar.

Çmimin e ndarë nga kryeministri Haradinaj për Robert Elsie, e pranoi Artur Metani, mik dhe bashkëpunëtor i albanologut Elsie.