Fun

Cohen paguan gjobat e “Boratëve” në Kazakistan

“Për miqtë e mi çekë që ishin arrestuar. M’i dërgoni detajet dhe provat që ishit ju dhe do t’jua paguaj gjobat”, ka shkruar komediani britanik në Facebook

Sacha Baron Cohen ka ofruar të paguajë gjobat për gjashtë turistët çekë të cilët ishin arrestuar në Kazakistan pasi ishin veshur me kostumin e rolit të tij “Borat”.

Më 14 nëntor, mediat lokale raportuan se turistët ishin dënuar me nga 67 dollarë për “paraqitje të pahijshme”, në kryeqytetin e vendit.

“Për miqtë e mi çekë që ishin arrestuar. M’i dërgoni detajet dhe provat që ishit ju dhe do t’jua paguaj gjobat”, ka shkruar komediani britanik në Facebook.

“Borati” mbetet figurë kontroverse në shtetin e Azisë Qendrore. Në vitin 2006, Baron Cohen kishte prodhuar filmin “Borat” në të cilin ai luante rolin e Borat Sagdiyev, një qytetar i Kazakistanit që udhëtonte drejt SHBA-së për të bërë dokumentar. Kazakistani e kishte ndaluar filmin dhe shitjen e tij përmes DVD-së, madje kishte kërcënuar me padi aktorin e njohur, pasi që e vlerësonin paraqitjen e tij të qytetarëve të Kazakistanit si raciste, seksiste dhe primitive. Gjithsesi, më 2012 ministri i jashtëm i këtij vendi falënderoi aktorin për rritjen e turizmit në shtet, transmeton Albinfo.ch.