Sport

Curri, brohoritet si shpëtimtar i klubit Aue

Gazetat gjermane shkruajnë me tituj si “Curri ngre në Aue përmendoren e tij” ose “Perëndia e futbollit bëri që drejtësia të fitojë”

Futbollisti veteran shqiptar, 36 vjeçari Skerdilajd Curri, ka shkëlqyer në ndeshjen e të dielës që shkoi, kur ai me golin e tij shpëtoir në momentin e fundit skuadrën e tij të Bundesligës së dytë gjermane Erzgebirger Aue nga rënia pothuaj e sigurt në një kategori më poshtë.

Kaq shumë është vlerësuar ky gol i Currit sa që për të kanë shkruar shumë gazeta gjermane, me tituj si “Curri ngre në Aue përmendoren e tij”  ose “Perëndia e futbollit bëri që drejtësia të fitojë” etj.

Pas këtij shkëlqimi, Skerdilajd Currit që luan për Aue-n që nga viti 2003 dhe që duhej të “pensionohej”, i rriten shanset që të vazhdojë lojën aktive në skuadrën e tij. Për  “shpëtimtarin” Curri, gazeta Bild shkruan se përveç si lojtar aktiv, ai mund të angazhohet ehde si trajner me ekipin e dytë të klubit Aue.

I pyetur nëse e ka siguruar mbetjen në klub si futbollist profesionist, Curri thotë se ende mbetet për tu parë. Duhet biseduar edhe me drejtorin sportiv të klubit. Por kryesorja sipas tij është se ndjehet shumë mirë fizikisht dhe ende është në gjendje të japë kontributin e tij për klubin.

Para se të shkëlqente në ndeshjen e fundit, Skerdilajd Curri kishte një periudhë të rëndë, kur angazhohej vetëm rrallë në ndeshjet kampionale. Me golin shpëtimtar, ai duket se ka shpëtuar nga “zona e rrezikut”.