Kosova

Daci kërkon që diaspora të ketë rol në të ardhmen e Kosovës

Zëvendësministri Daci ka kërkuar që bashkatdhetarëve t’u jepet edhe fuqia ligjore nëpërmjet votës duke u garantuar deputetë në Kuvendin e Kosovës

Zëvendësministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Arian Daci ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga Germin me temën: “Diaspora kërkon rol në të ardhmen e Kosovës”, ndërsa gjatë debati ka kërkuar që bashkatdhetarëve t’u garantohet përfaqësimi politik në Kuvendin e Kosovës përmes deputetëve të diasporës.

Zëvendësministri Daci tha se zgjedhjet e fundit lokale kanë faktorizuar votën e Diasporës në Kosovë.

“Përpara së gjithash, te themi një të vërtetë të madhe. Ne si ministri në krye me zëvendëskryeministrin Dardan Gashi, për ta çuar përpara një nismë të këtillë i referohemi vullnetit politik të deputetëve të Parlamentit Kosovës. Nëse partitë politike dhe ato në opozitë do ta japin mbështetjen e tyre, atëherë Ministria e Diasporës dhe investimeve strategjike është e gatshme të ecim përpara”, ka thënë Daci.

Me këtë rast, deputetët që përfaqësonin partitë politike pozitë dhe opozitë në këtë tryezë, kanë dhënë mbështetjen e tyre për të çuar proceset me Diasporën – përpara.

Në kuadër të kësaj tryeze, organizuesit kanë publikuar dhe një raporti preliminar për diasporën shqiptare në Gjermani rreth të drejtave politika dhe sociale të tyre.