Lajme

‘Dallaveret’ me naftë në Kosovë

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, shumë herë ka shfaqur shqetësimin se 97 për qind e naftës që hyn në Kosovë nuk kontrollohet, po vetëm bëhet përshkrimi i analizave

Njëri nga sektorët më fitimprurës në Kosovë është ai i derivateve të naftës. Por, ky sektor gjithashtu karakterizohet me parregullsi të shumta, që nga importi e deri të shitja me pakicë e këtij produkti.

 

Kosova nuk posedon rafineri të derivateve të naftës, kështu që ky produkt pothuajse më i kërkuari në Kosovë, importohet nga vendet e rajonit dhe të Evropës. Kurse, janë evidentuar edhe raste të kontrabandës me naftë dhe derivate të saj në pjesën veriore të Kosovës, në kufirin me Serbinë, raporton “Evropa e Lirë”.

 

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, shumë herë ka shfaqur shqetësimin se 97 për qind e naftës që hyn në Kosovë nuk kontrollohet, po vetëm bëhet përshkrimi i analizave, përcjell albinfo.ch.

 

Për shkak të dyshimit të cilësisë së naftës, ka disa ditë që mbi 40 maune me këtë produkt janë bllokuar në terminalin doganor në Morinë. Maunet e bllokuara në kufi, u përkasin tri kompanive që në Kosovë konsiderohen më të mëdhatë në këtë sektor.

 

Cilësia e dobët e derivateve të naftës, mungesa e territoreve të lira për të vepruar, krijimi i privilegjeve për kompani të caktuara të naftës, moskontrollimi gjithnjë me rastin e zhdoganimit të këtij produkti, mosfiskalizimi i këtyre operatorëve ekonomikë, që llogariten me qarkullim milionësh, janë vetëm disa nga parregullsitë që përmenden vazhdimisht në këtë sektor.