Kultura

“Dardania” bën bashkë shqiptarët për 17 shkurt

Më të vegjlit, në mesin e të cilëve edhe vogëlushë 4-5 vjeçarë, kanë gjallëruar skenën me lëvizjet e tyre të shkathta dhe simpatike

Manifestimet për nderë të 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës kanë qenë në vlugun e tyre më të madh gjatë ditëve të këtij vikendi. Në shumë qendra të Zvicrës, shoqatat dhe subjektet tjera shqiptare kanë përgatitur programe festive për ditën që shënon shtetësinë e Kosovës.

© albinfo.ch 

Kështu ishte edhe në Hettlingen të Winterthurit, ku SH.K.A. “Dardania” ka bërë bashkë bashkatdhetarët e këtij regjioni dhe më gjerë për të kremtuar 17 Shkurtin.

Në manifestimin e përgatitur me mjaft përkushtim nga “Dardania”, e ndihmuar nga Grupi Teatror “Aktrimi”, ishin të pranishëm edhe dy ambasadorë të akredituar në Bernë, respektivisht ambasadori i Kosovës, Naim Malaj dhe ai i Maqedonisë, Ramadan Nazifi.

Po kështu nga Kosova kishte ardhur zëdhënësi i FSK-së, Shemsi Syla. Të dy ambasadorët dhe mysafiri nga Prishtina u janë drejtuar bashkatdhetarëve me urime festive dhe me përgëzime për vullnetin e treguar për të shënuar së bashku dhe me programe të pasura artistike këtë festë të madhe.

© albinfo.ch 

Programi festiv është hapur me një recitim nga Albulena Cakolli, me intonimin e dy himneve dhe me “Vallen e Pavarësisë”, ndërsa moderimi është bërë nga Yllka Zuzaku.

Kryetari i “Dardanisë”, Shefqet Cakolli ka përshëndetur të pranishmit, duke iu drejtuar atyre me një fjalë të shkurtë kushtuar ditës festive dhe më të merituarve për këtë ditë, dëshmorëve.

Programin artistik e ka vazhduar orkestra folklorike e “Dardanisë”, me valle instrumentale dhe me këngë të kënduara nga Hamit Shillova, Ruzhdi Hajrizi dhe Yllka Zuzaku. Në vazhdim, më të vegjlit e shoqërisë, në mesin e të cilëve edhe vogëlushë 4-5 vjeçarë, kanë gjallëruar skenën me lëvizjet e tyre të shkathta dhe simpatike duke luajtur “Vallen e Lokut”.

Është për tu çmuar përkushtimi i Shoqërisë “Dardania” për të mbjellë në zemrat e këtyre fëmijëve kaq të vegjël dashurinë për vallen shqiptare. Kjo shoqëri ka edhe disa grupe tjera valltarësh, sipas moshave, mjeshtëria artistike e të cilave u shpalos në vazhdim, me vënien në skenë të një numri të madh vallesh, disa prej të cilave premiera.

© albinfo.ch

Vallet si ajo “Dasma Kosovare”, “Vallja e Librazhdit” (premierë), “Vallja e Hamzë Jasharit”, pastaj vallet karakteristike me surlë dhe tupan si “Gajdja”, “Gjilani” dhe “Rugova” kanë ndezur atmosferën në sallë dhe në fund kanë ngritur në këmbë edhe publikun, i cili u është bashkuar valltarëve.

Me një skeq humoristik u paraqit edhe grupi teatral “Aktrimi”, gjegjësisht Gjeneta Zuzaku dhe Avdi Hamiti.

Fëmijët kanë qenë edhe më tutje pjesë e programit. Enisa Hoti, Donjeta dhe Leotrim Gashi kanë recituar poezi kushtuar atdheut dhe dëshmorëve.

Mbrëmja është përmbyllur nga kryetari SH.K.A. “Dardania”, Shefqet Cakolli, i cili ka ftuar të pranishmit që të jenë së bashku edhe në shënimin e Ditës së Gruas, 8 marsit, përkatësisht në manifestimin që organizohet më 10 mars në po këtë vend.

Foto galeria