Kultura

„Dardania” e Winterthur-it bashkoi shqiptarët në festë

Në fundjavën që shkoi, Winterthuri me rrethinë kishte një festë të madhe me rastin e 28 Nëntorit, ditës së Flamurit dhe ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Në praninë e një numri të madh bashkatdhetarësh, SH.K.A “Dardania” u kujdes për pjesën artistike të shënimit të kësaj date të madhe për kombin shqiptar.

Me inskenimin e  koreodramës “Nusja e Nëntorit” dhe himnin  kombëtar filloi programin e saj Shoqëria Kulturore dhe Artistike “Dardania” nga Winterthuri e cila tashmë ka një përvojë 16 vjeçare.

E veçanta e këtij manifestimi ishte  prezantimi dhe “ringjallja” e katër figurave më emblematike të kombit tonë si: Skënderbeut (Ardian Haliti), Ismail Qemajlit (Avdi Alimi), Isa Boletinit (Ramadan Morina) dhe Adem Jashrit (Bekim Berisha) të cilët interpretuan rolet dhe përshtatjen skenike të kësaj koreodrame të punuar enkas për këtë festë, me ninullën popullore të interpretuar nga Albulena Cakolli e cila njëherësh është edhe koreografja e shoqërisë.

Më pastaj filluan këngët dhe vallet e përgatitura nga udhëheqësi artistik Shefqet Cakolli, i cili kishte përzgjedhur një program të pasur me përfëshirjen e të gjitha trojeve tona, duke prezentuar artin dhe trashëgiminë tonë kulturore në forma të ndryshme të valleve dhe këngëve të udhëhequra nga udhëheqësi i orkestrës Nezir Hyseni. Për mbarëvajtjen e skenarit dhe programit, u kujdes udhëheqësi organizativ, Hisen Abazi.

Fjalën e rastit e lexoi nënkryetari i SH.K.A “Dardanias”  Nezir Hyseni, i cili porositi strukturat politike dhe shtetrore të trojeve tona për bashkimin kombëtar, mandej uroi shqiptarët për  festën e flamurit, për unitet dhe dashuri në mes veti.

Manifestimin e ditës ë Flamurit, e madhëroi edhe prezenca  e shoqërive simotra, si dhe e gazetarëve, zviceranë të profileve të ndryshme, ku vlen t`i theksojmë disa nga ato si: SH.SH.V “Shota” në Zvicër, SH.K.A ” Sharri” nga Romanshorni, Grupi “Aktrimi” nga Zürichu, Klubi shqiptar “Kosova” nga Singeni (D), SH.K.A ” Drita” nga Kreuzlingeni, Shoqata shqiptare nga Winterthuri, Lapsh-i, nga kryesia e xhamisë, nga bizneset, sponsorët e shoqërisë dhe shumë përfaqësues tjerë.

SH.K.A “DARDANIA” me këngët dhe vallet e veta zgjoi interesim te publiku i mrekullueshëm i cili duartrokiti të gjitha pikat që u prezantuan nga tri grupet e valleve të cilat interperetuan me mjeshtri  të rrallë.

Gëzimi dhe hareja vërehej te prindërit e anëtarëve të shoqërisë, e sidomos te fëmijët e vegjël, moshatarët e të cilëve kishin veshur veshjen kombëtare dhe vallëzonin pa hamendje. Kjo bëri që më pas shumë nga ata të shprehnin gatishmëri për t`iu bashkuar kësaj shoqërie, e cila po lë gjurmë të thella në këtë mes.

Vëmendja e publikut ishte përqëndruar më shumë te vallet e reja që nuk i kishin parë deri më tani si: premiera e valles së Melodisë, valles së Librazhdit, valles së Prespës, valles së shqiponjave, interpretuar nga grupi i tupanave nga më i vogli 4 vjeçar e deri te më i vjetri 64 vjeçar, e cila u duartrokit fort nga të pranishmit.

Më pas mbretëroi muzika dhe vallja me surla dhe tupana, ku u inkuadrua edhe publiku për të vazhdua kështu me muzikën popullore nga këngëtarja e njohur Elda Shabani, e cila këndoi deri në orët e vona.

Nuk munguan as ushqimet dhe pijet, të organizuara nga vetë shoqëria, e cila u kujdes që t`i shërbejë mysafirët edhe me nga një gotë verë, për hirë të kësaj feste që i bashkon shipëtarët.