Shqipëria

DASH: Korrupsioni në Shqipëri, i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes

Në raportin e përvitshëm për të Drejtat e Njeriut, të Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se mosndëshkueshmëria mbeti një problem serioz

Departamenti i Shtetit në raportin e publikuar thotë se problemet më të konsiderueshme të të drejtave të njeriut në vitin 2017 në Shqipëri ishin “kufizimet në lirinë e shprehjes dhe të shtypit, përfshirë autocensurën dhe frikësimin e gazetarëve shkaktuar nga interesat financiare dhe politike, si dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e Qeverisë.

Në raportin e përvitshëm për të Drejtat e Njeriut thuhet se mosndëshkueshmëria mbeti një problem serioz. Departamenti i Shtetit thotë se gjatë vitit 2017 “korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes” në Shqipëri.

“Mes janarit dhe gushtit, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm regjistroi 185 hetime të reja korrupsioni. Gjatë së njëjtës periudhë, 122 persona dolën në gjyq për shkelje të lidhura me korrupsionin dhe 99 u shpallën fajtorë”, thekson raporti.