Nachrichten

Serbia prish raportet me Maqedoninë, për shkak të Kosovës

Shefi i diplomacisë  serbe, Ivica Daçiq kërcënoi Maqedoninë se nuk do ta njohë me emrin kushtetues nëse ky vend ndryshon qëndrimin për votën e sajë rreth anëtarësimit të Kosovës në UNESCO

Kosova duket të jetë shkaku kryesor i përkeqësimit të marrëdhënieve Maqedoni-Serbi. Kjo e fundit ka tërhequr të gjithë punonjësit nga ambasada në Shkup, kurse ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka kërkuar ndryshim të qëndrimit të Maqedonisë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Ndaj vendimit të fundit të autoriteteve serbe ka reaguar Qeveria e Maqedonisë.

Shefi  i diplomacisë  serbe, Ivica Daçiq kërcënoi Maqedoninë se nuk do ta njohë me emrin kushtetues nëse ky vend ndryshon qëndrimin për votën e sajë rreth anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Daçiq këto komente i bëri pas vendimit të Qeverisë së Serbisë ,për tërheqje të diplomatëve serb nga Shkupi, transmeton RTK.

“Është e padiskutueshme dhe e vërtetuar me fakte se ekziston ofensivë e veprimtarisë së inteligjencës kundër Serbisë dhe Ambasadës së Serbisë në Maqedoni në të cilën është përfshirë edhe faktori i jashtëm. Po ndërmarrim të gjitha masat që të përgatitemi për punë në një mjedis të tillë, t’i mbrojmë interesat tona dhe ta rishqyrtojmë aftësinë dhe kapacitetin tonë për punë në kushte të tilla”, tha Daçiq.

“Pa dyshim se ne dëshirojmë marrëdhënie të mira me Maqedoninë sepse jemi fqinj, sepse kemi interes të përbashkët, sepse jemi popuj të afërt. Megjithatë është detyra jonë t’i mbrojmë interesat tona në përputhje me parimet e diplomacisë ndërkombëtare”, deklaroi më tej ai.

Ndaj vendimit të fundit të autoriteteve serbe ka reaguar përmes një deklarate me shkrim Qeveria e Maqedonisë, në të cilën thuhet se “Shkupi zyrtar zhvillon marrëdhënie miqësore me të gjithë vendet fqinje”.

“Kur ekzistojnë çështje të hapura senzitive mes dy fqinjëve tanë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë, gjithmonë do t’i ndjek interesat e shtetit ndaj parimeve të fqinjësisë së mirë të bashkëpunimit rajonal dhe mos-përzierjes në kontestet mes shteteve”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Maqedonisë. Ndryshe, marrëdhëniet Shkup=Beograd disa herë janë lëkundur për shkak të Kosovës dhe raporteve të mira Prishtinë-Shkup.