Feja

Deklarata e prijësve fetar shqiptarë në Zvicër

Kjo është deklarata në favor të laicitetit që do të nënshkruhet sot, me 20 mars 2017, në Shtëpinë e feve në Bernë.

Shqiptarët si popull i lashtë në Evropë u takojnë dy  besimeve fetare, atij  musliman dhe të krishterë, respektivisht katër katër konfesioneve të mëdha : musliman, katolik, orotdoks dhe betakshi. Eshtë një popull që ka kultivuar ndër shekuj respektin dhe harmoninë fetare. I vetmi popull i besimit shumicë musliman që gjatë Luftës se Dytë Botërore ka mbrojtur dhe strehuar hebrenjtë, duke bërë që Shqipëria, vendi i humanistes së madhe   Nënë Tereza, të jetë vendi i vetëm në Evropë, ku pas luftës kishte me shumë hebrenjë se para saj.

Unioni i Imamëve Shqiptarë  dhe Bashkësia Islame Shqiptare në Zvicër që përfaqësojnë grupin më të madh të besimtarëve muslimanë në Zvicër, besimtarë që vijnë nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Lugina e Preshevës dhe  Mali i Zi,  duke u nisur nga parimi ynë se Feja muslimane është Fe e paqes, e drejtësisë dhe në  harmoni  të plotë me vlerat e vendit mikpritës, Zvicrës,  me përgjegjësi të plotë angazhohen për respektimin e  pikave të kësaj Deklarate :

  • Respektimin e laicitetit si një parim themelor për  funksionimin e një shoqërie moderne  dhe demokratike  si dhe për ndarjen e Shtetit nga organizatat fetare.
  • Respektimin e lirisë për të praktikuar ose jo, fenë, si dhe  parimin e barazisë të të gjithëve para ligjit pavarësisht besimit dhe bindjeve.
  • Ne konsiderojmë që asnjë arsye e natyrës fetare  nuk mund të evokohet për të kontestuar, kundërshtuar, ose  mos pranuar funksionimin e shtetit ligjor, rregullin kushtetues dhe ligjet zvicrane.
  • Ne mendojmë se besimi është çështje individuale e çdo personi, ndaj askush nuk ka të drejtë, t’ia imponojë tjetrit pikëpamjen e tij mbi fenë ose ta detyrojë që të besojë apo frekuentojë një tempull fetar.
  • Shteti i së Drejtës është mbi çdo teori, interpretim ose institucion
  • Ne respektojmë thellësisht  vlerat e vendit mikpritës dhe në asnjë rast predikimi ynë nuk mund të jetë në kundërshtim me vlerat e shoqërisë zvicrane. Qëllim ynë nuk është që t’ua imponojmë besimtarëve tanë një mënyrë jetese të veçantë, të ndryshme nga ajo e shoqërisë vendase zvicrane, përkundrazi ne i ftojmë besimtarët tanë që të integrohen në shoqërinë zvicrane dhe ta respketojnë modelin e saj funksionues.
  • Ne angazhohemi për respektimin e plotë të të drejtave të gruas, barazisë së saj, konform ligjit dhe kushtetutës zvicrane. Ne mbështesim plotësisht integrimin e saj në shoqërinë zvicrane në respekt të plotë të vlerave të saja.
  • Ne jemi shqiptarë muslimanë të Evropës dhe fenë tonë e praktikojmë në përputhje me sistemin e një shoqërie demokratike. Askush nuk mund të thirret në bindjet dhe praktikat e tij fetare si pretekst për t’u mos integruar në shoqërinë zvicrane.
  • Qendrat kulturore muslimane janë të hapura për të gjithë publikun pa dallim kombësie, feje dhe gjinie.
  • Qendrat tona kulturore dhe fetare angazhohen për  një intensifikim të bashkpunimit  në kuadër të platformave të dialogut ndërfetar kudo në Zvicër si dhe për trajnimin e vazhdueshëm të stafit tonë. Në bashkpunim me autoritetet zvicrane stafi ynë merr pjesë në trajnimet profesionale mbi sistemin politik, demokracinë dhe institucionet zvicrane.
  • Islami ynë është fe e paqes. Ne nuk tolerojmë thirrje për dhunë, urrejtje ndërfetare, raciale ose etnike që janë në kundërshtim me vlerat e islamit. Çdo imam, apo  edhe thjesht besimtar, e ka për detyrë t’i denojë dhe denoncojë pa asnjë hezitim pranë organeve kompetente.
  • Ne angazhohemi për bashkpunim me atuoritetet zvicrane dhe për një transparencë të plotë rreth financimit të qendrave tona, konform ligjit dhe procedurave përkatëse në Zvicër.
  • Unioni i Imamëve Shqiptarë dhe Bashkësia Islame Shqiptare në Zvicër do të vazhdojnë përpjekjet për afrimin dhe bashkimin e tyre në një strukturë të vetme.
  • Kjo deklaratë, e nënshkruar nga kryetari i Unionit të Imamëve shqiptarë në Zvicër dhe kryetari i Bashkësisë Islame Shqiptarë në Zvicër, do t’afishohet dhe lexohet në qendrat tona kulturore-fetare në Zvicër.

Për Unionin e Imamëve Shqiptarë në Zvicër            Për Bashkësinë Islame Shqiptare në Zvicër

Kryetari : Nehat ISMAILI                                            Kryetari : Mustafa MEMETI

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/deklarata-e-prijesve-fetar-shqiptare-ne-zvicer/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.