CH-Ballkani

“Demokracia direkte”: Tirana dhe Mallakastra përfitojnë nga eksperienca zvicerane

“Qëllimi i projektit, pjesë i të cilit ishte edhe vizita në Zvicër, është ndërtimi i një modeli të përshtatshëm për të aplikuar demokracinë e drejtpërdrejtë në Bashkinë e Tiranës

Një delegacion nga Bashkia e Tiranës dhe ajo e Mallakastrës ka zhvilluar një vizitë në disa kantone të Zvicrës nga 18 deri më 22 maj, për t’u njohur nga afër me historinë zvicerane të ushtrimit të demokracisë së drejtpërdrejtë dhe përcjelljes nga afër të referendumit për energjinë.

“Qëllimi i projektit, pjesë i të cilit ishte edhe vizita në Zvicër, është ndërtimi i një modeli të përshtatshëm për të aplikuar demokracinë e drejtpërdrejtë në Bashkinë e Tiranës. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, e ka prioritet zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë në nivelin vendor dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje”, ka deklaruar Indrit Puteci, këshilltar i kryetari të Bashkisë së Tiranës, i cili ishte pjesë e delegacionit nga Shqipëria.

“E gjithë vizita ishte një mundësi e mirë për të kuptuar rëndësinë e ushtrimit të demokracisë së drejtpërdrejtë për zhvillimin e demokracisë në përgjithësi dhe përfitimet e dobishme të një vendi si pasojë e balancimit të pushtetit dhe rritjen e kontributit të të gjithë shoqërisë në zhvillimin e vendit”, tregon Puteci, duke e vlerësuar mikpritjen si të jashtëzakonshme nga pala zvicerane.

“Jam besimplot që do të zhvillojmë me tej marrëdhëniet me Zvicrën për të sjellë në Tiranë eksperiencën më të mirë të Zvicrës dhe për t’i kthyer ato në praktika të aplikueshme në dobi të komunitetit të Tiranës”, thotë Puteci.

Edhe kryetari i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj, thotë për albinfo.ch se qëllimi i vizitës ishte që të konstatonin nga afër se si funksiononte i gjithë sistemi i demokracisë direkte në qeverisjen lokale, në një shtet të konsoliduar dhe të përparuar, siç është Zvicra.

“Në një takim me kryetarin e Bashkisë së Liestal, Lukas Ott, patëm rastin të njiheshim me referendumet popullore lokale që ishin zhvilluar në atë qytet dhe për mënyrën se si qeverisej Liestali. Dukej qartë që dallimi midis nesh ishte thelbësor”, tregon Kapllanaj.

“Ajo që binte në sy ishte autonomia e plotë dhe specifike sipas kantoneve dhe bashkive. Ishte mbresëlënëse fakti që qytetarët ishin ata që merrnin vendimet dhe jo anasjelltas, siç ndodh te ne në Shqipëri”, thotë Kapllanaj, duke paralajmëruar një projekt pilot në të ardhmen në Bashkinë Mallakastër për të realizuar një referendum lokal, ku qytetarët të jenë ata që marrin vendime dhe jo Këshilli Bashkiak.

“Bukuritë natyrore të Zvicrës, mikpritja e ngrohtë dhe demokracia direkte e bënë mbresëlënëse këtë vizitë”, thekson në këtë bashkëbisedim me albinfo.ch kryetari i Bashkisë së Mallakastrës të Shqipërisë, Agron Kapllanaj.

Vizita e delegacionit të bashkive nga Tirana dhe Mallakastra kishte nisur në qytetin e Liestalit, ku ishin takuar me kryetarin e këtij qyteti, Lukas Ott. Ky i fundit u ka treguar mysafirëve nga Shqipëria për pozitën e Liestalit, si kryeqytet i kantonit të Baseland.
Po ashtu Ott ka folur edhe për historinë e qytetit, për zhvillimin dhe për projektet që implementon Liestal, duke ofruar shembuj të demokracisë direkte, si merren vendimet dhe si ndahet buxheti.

Nga ana tjetër, Marsel Jermann ka folur për rregulloret e komunës, si dhe për politikat e Zvicrës në raport me qytetet, si dhe votimet në komunë, por edhe për votimet që mbaheshin më 21 maj.

Në mënyrë simbolike ai ua ka ndarë disa fletëvotime zvicerane mysafirëve nga Shqipëria, duke ua kujtuar në mënyrë ironike se ata nuk kanë të drejtë vote.

Pastaj delegacioni nga Shqipëria është takuar edhe me deputetin nacional nga Bazeli, Ruedi Rechtsteiner, i cili i ka njoftuar mysafirët për referendumi mbi energjinë.

Për ta bërë më interesante këtë vizitë të mysafirëve nga Shqipëria, politikani zviceran, në cilësinë e organizatorit, i ka dërguar në qendrën historike me famë botërore në Bazel, Augusta Raurica.

Pastaj, duke shëtitur rrugëve dhe rrugicave të qytetit të vjetër Liestal, kanë shijuar edhe specialitetin zviceran “Fondue”.
Të shtunën delegacioni nga Shqipëria kishte destinacion Andermattin, Kantoni Uri, ku janë përballur me historianin zviceran, Reto Gamma.

Gama u ka treguar se si qytetarët e Andermatt janë ngritur në këmbë për të kundërshtuar ndërtimin e një hidrocentrali, që do ta kishte zhdukur gjithë qytetin, në kohën kur ende nuk gjente zbatim të plotë demokracia direkte në Zvicër.

Të shtunën mysafirët nga Shqipëria kanë vizituar qytetin e Lucernit për të bërë një vizitë rreth liqenit dhe kanë qenë të impresionuar me pamjen piktoreske të qytetit.

Nga Lucerni në St Ursanne ata kanë parë nga afër kutitë e votimit dhe gjithë procedurën e votimit në Zvicër.

Zyrtarët e dy bashkive nga Shqipëria janë befasuar me mënyrën e lehtë dhe të shpejtë të votimit. Në përmbyllje të vizitës delegacioni ka vizituar një rafineri zvicerane në Cressier.

Ky udhëtim ishte financuar nga Qeveria e Zvicrës, nëpërmjet Ambasadës së saj në Tiranë dhe Këshillit të Evropës, nëpërmjet  misionit të tij po ashtu në Tiranë.

Ekspertiza është ofruar nga njëri prej njohësve, hulumtuesve e politikanëve më të njohur në Zvicër, veçanërisht sa i takon demokracisë së drejtpërdrejtë, Andreas Gross.

Vizita në Zvicër ishte pjesë e projektit  “Demokracina Direkte”,  një projekt i mbështetur nga Këshilli i Evropës dhe Ambasada e Zvicrës në Shqipëri. Profesori i njohur zviceran për “Demokracinë Direkte”, Andreas Gross, kishte zhvilluar në Bashkinë Mallakastër dy takime, ku kishte informuar se si funksiononte “Demokracia Direkte” në Zvicër.

Në këtë projekt janë përfshirë Bashkia Tiranë dhe Bashkia Mallakastër.

Nga delegacioni i Tiranës për vizitë në Zvicër ishin: Indrit Puteci, këshilltar i kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Violeta Kukaj, administratore e njësisë administrative numër 5
Gjinovefa Kadriu, numër 7.
Admir Abrija, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së koordinimit të njësive administrative.

Nga delegacioni i Mallakastrës: Agron Kapllanaj, kryetar i Bashkisë së Mallakastrës.
Vot Jona Mile, këshilltare e kryetarit.
Aurora Naka, drejtoreshë e Drejtorisë së urbanizmit.
Besmir Shemetaj, administrator i njësive administrative.

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/demokracia-direkte-tirana-dhe-mallakastra-perfitojne-nga-eksperienca-zvicerane/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.