Bota

Dënohen 3 shqiptarë për vjedhje të 3 milionë frangave

Tre personat tashmë të dënuar, të tre shqiptarë, të moshave 27 deri 37 vjeçare akuzoheshin për vjedhje të një mase pasurore prej afër 3 milionë frangash

Të premten në Gjykatën e Krimeve në Vaduz është zhvilluar procesi për njëri ndër rastet më të rënda të vjedhjes me grabitje në historinë e Lihtenshtajnit. Dy nga tre të akuzuarit kanë marrë dënime prej 6 vjet e gjysmë burg, shkruan vaterland.li. I treti, i cili ka pranuar se ka bërë “mbulimin” e tyre, është dënuar me 18 muaj burg.

Tre personat tashmë të dënuar, të tre shqiptarë, të moshave 27 deri 37 vjeçare akuzoheshin për vjedhje të një mase pasurore prej afër 3 milionë frangash, transmeton albinfo.ch. Ata kanë pranuar në masë pothuajse të plotë veprat e kryera, respektivisht plaçkitjet në gjithsej 20 shtëpi. Këto i kanë realizuar në periudhën nëntor 2015 – nëntor 2016 në gjashtë komuna të Lihtenshtajnit.

Tre të dënuarit funksiononin në kuadër të një organizate kriminale, kështu që menjëherë pas kryerjes së akteve të përmendura ishin të detyruar të dorëzonin prenë. Në një rast të vetëm kjo trio kishte plaçkitur stoli dhe para në vlerë prej 2.8 milionë frangash.

Ata, në nëntorin e kaluar ishin kapur në vepër dhe prej atëherë ndodhen në paraburgim.