Shkurt.ch

Deputetët e djathtë kërkojnë që refugjatëve t`u konfiskohen telefonat mobilë

Ata kërkojnë që refugjatëve, me të ardhur në Zvicër, t`u konfiskohen telefonat mobilë! Përmes tyre mund të përcaktohet më lehtë prejardhja e refugjatëve, mendojnë politikanët në fjalë

Prejardhja ose përkatësia shtetërore e azilkërkuesve shpeshherë është e paqartë pasi që atyre ndodh t`u mungojnë dokumentet që do ta konfirmonin këtë. Dy deputetë nacionalë të partisë së djathtë SVP/UDC, Gregor Rutz dhe Peter Keller, kanë “zgjidhjen” për këtë problem, shkruan blick.ch. Ata kërkojnë që refugjatëve, me të ardhur në Zvicër, t`u konfiskohen telefonat mobilë! Përmes tyre mund të përcaktohet më lehtë prejardhja e refugjatëve, mendojnë dy politikanët në fjalë.

Vitin e kaluar në Zvicër kanë ardhur 20 mijë refugjatë pa sjellë me vete dokumente zyrtare, dhe kjo shifër është 80 për qind nga numri i përgjithshëm i refugjatëve.

“Telefonat mobilë, ndryshe nga dokumentet e identifikimit, humben tepër rrallë”, thotë Rutz, transmeton albinfo.ch. Prandaj masa që propozon ai dhe kolegu i tij mund të merret vetëm kur “identiteti i azilkërkuesit nuk mund të përcaktohet në asnjë mënyrë tjetër”.

Kjo kërkesë ka gjetur mbështetje edhe te përfaqësuesit e partive CVP/PDC dhe FDP/PLR në parlament, të cilët edhe e kanë nënshkruar atë. Nga ana tjetër, kritikët thonë se  një konfiskim i tillë është shkelje e privatësisë.