Shqipëria

Dërgonin me para shqiptarë në Britani dhe SHBA, arrestohen 39 persona

Personat që u arrestuan, sipas policisë shqiptare u takonin shtatë grupeve të organizuara mirë që dyshohet se kanë bërë kontrabandimin e 1 mijë shtetasve shqiptarë

Një operacion i madh i Policisë së Shqipërisë, i ndihmuar edhe nga Amerika dhe vende tjera ka rezultuar me arrestimin e 39 personave që kontrabandonin shtetas të Shqipërisë drejt SHBA-së, Kanadasë e Britanisë.

Ata janë arrestuar dje, derisa janë dhënë detaje tjera në lidhje me këtë rast. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Demiri ka treguar se të arrestuarit dyshohet se ua merrnin nga 7 mijë funte një personi për dërgim të tij në Britani, përcjell albinfo.ch.

Për dërgim në ShBA e Kanada, çmimi për dërgimin ilegal të një personi ishte 25 mijë deri në 30 mijë euro.

“Ata përdornin iteneraret: Shqipëri-Itali-Mbretëri e Bashkuar, Shqipëri-Francë-Mbretëri e Bashkuar, Shqipëri-Bullgari-Belgjikë-Republika Dominikane-SHBA/Kanada dhe Shqipëri-Spanjë-Amerika Latine-SHBA/Kanada”, thuhet në deklaratën e drejtorit të policisë.

Personat që u arrestuan, sipas policisë shqiptare u takonin shtatë grupeve të organizuara mirë që dyshohet se kanë bërë kontrabandimin e 1 mijë shtetasve shqiptarë.

Në aksion janë arrestuar edhe pesë punonjës të Policisë së Shtetit. Përveç 39 të arrestuarve, janë shpallur në kërkim edhe 12 persona tjerë.

Operacioni u realizua në koordinim me agjentët specialë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë të Departamentit të Shtetit në SHBA.

Partnerë të tjerë që kanë asistuar dhe kontribuar në këtë operacion janë Agjencia e Shërbimeve Kufitare të Kanadasë, SELEC, EUROPOL, Interpol, Policia e Kosovës, Policia Kombëtare Spanjolle, Policia Franceze, Policia italiane, etj.