Maqedonia

Deri në mesditë, 24.38 për qind votuan në Maqedoni

KSHZ ka njoftuar se deri në orën 13:00 në votime kanë dalë 24.38 për qind e qytetarëve me të drejt vote. Sipas këtij komisioni, deri në mesditë nuk është parashtruar asnjë ankesë për parregullsi

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni ka njoftuar se procesi i zgjedhjeve të raundit të dytë po ecën sipas dinamikës së parashikuar, ndërsa deri në orën 13:00 në votime kanë dalë 24.38 për qind e qytetarëve me të drejt vote. Sipas këtij komisioni, deri në mesditë nuk është parashtruar asnjë ankesë për parregullsi gjatë procesit zgjedhor.

“Të gjitha 1.517 vendvotimet në 35 komuna në të cilat votohet në raundin e dytë për të zgjedhur krerët e komunave përkatëse u hapën në kohë ndërsa votimi po rrjedh pa asnjë problem”, konfirmon KSHZ. Jehona e votuesve sipas të dhënave të fundit të KSHZ-së në nivel shtetëror është 8.09 për qind.

Ndryshe qendrat e votimit janë hapur nga ora 07:00 dhe do të mbesin të hapura deri në orën 19:00, kurse zgjedhjet e balotazhit mbahen në 35 komuna, përkatësisht në 1.517 vendvotime, ku të drejtë vote kanë 833.710 qytetarë Në raundin e dytë marrin pjesë 70 kandidatë për kryetarë komunash.

Në komunat e Shkupit në raundin e dytë po votohet në Çair, Butel, Saraj, Gazi Babë, Kisella Vodë dhe Shuto Orizarë, ku të drejtë vote kanë 260.194 qytetarë, të cilët do të votojnë në 387 vendvotime. Në 29 komunat e tjera në vend në raundin e dytë kanë të drejtë vote 573.616 qytetarë në 1.130 vendvotime, raporton alsatm.

Në Çair dhe Saraj balotazhi po zhvillohet ndërmjet kandidatëve të BDI-së dhe Lëvizjes Besa, në Kisella Vodë, Gazi Babë dhe Butel mes kandidatëve të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, ndërsa në Shuto Orizarë mes kandidatit të LSDM-së dhe kandidatit të Lidhjes së romëve.

Në komunat e tjera raundi i dytë po mbahet në Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë, Shtip, Vinicë, Demir Kapi, Makedonska Kamenicë, Makedonski Brod, Kavadar, Probishtip, Gradsko, Jegunovc, Rosoman, Nagoriçan i Vjetër, Çashkë, Mogillë, Zërnovci, Novaci, Bërvenicë, Çeshinovë-Obleshevë, Bogovinjë, Vrapçishtë, Dollnen, Zhelinë, Likovë, Tearcë, Studeniçan dhe Karbinci.

Rezultatet e zgjedhjeve nga ana e KSHZ-së dalin rreth mesnatës, ndërsa “exit pollët” do t’i japin shumë me herët.