Maqedonia

Deri në mesditë 27 për qind votuan në Maqedoni

Sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhorë, 27,11 për qind kanë dalë për të votuar në zgjedhjet lokale që po mbahen në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë 

Më shumë se 27 për qind të qytetarëve me të drejt vote në Maqedoni kanë votuar në votime deri në mesditën e sotme, raporton Komisioni Shtetëror Zgjedhorë, i cili në ora 13:00 doli me të dhënat më të fundit për numrin e votuesve. Sipas këtij komisioni, 27,11 për qind kanë dalë për të votuar në zgjedhjet lokale që po mbahen në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Përqindja e votuesve në disa komuna në vend:

Shkup- 29.17%
Aerodrom- 35.63%
Haraçinë- 25.53 %
Berovë- 34, 44%
Manastir- 28.85%
Vrapçisht- 15.17%
Gazi Babë- 29,34%
Gjevgjeli- 35.99%
Gjorgje Petrov- 32.98%
Gostivar- 18. 21%
Dibër- 19.28%
Debërc- 32.09%
Dellçevë-32.92%
Demir Kapi- 47.53%
Demir Hisar-34.44%
Dojran-33.2%
Dollnen- 17.87%
Zelenikollo- 31.33%
Zhelinë- 17.71%
Zërnovci-31,73%
Ilinden- 24.8%
Jegunovce-15,75%
Kavadarc – 34.7%
Karposh -34,64%
Kisella Vodë- 32,45%
Kërçovë 26,06%

Ndryshe, në Maqedoni sot po zhvillohen zgjedhjet për pushtetin e ri lokal në 80 komuna dhe Shkupin si njësi e veçantë e pushtetit vendor, i cili në përbërjen e tij ka dhjetë komuna, dy prej të cilave janë me shumicë shqiptare. Të drejtën e votës e kanë 1.814.644 qytetarë, të drejtë që mund ta realizojnë në 3.480 vendvotime.

Në garën për të parin e komunës marrin pjesë 260 kandidatë të 19 partive politike dhe të koalicioneve të ndryshme përfshirë edhe kandidatë të pavarur.

Procesi për zgjedhjet vendore në Maqedoni ka filluar me kohë në të gjitha vendvotimet, ka njoftuar Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në konferencën e parë për media.

Asociacioni qytetar “MOST” që monitoron procesin zgjedhor me numrin më të madh të vëzhguesve, ka thënë se procesi zgjedhor po realizohet pa pengesa, ndërkohë që është vërejtur hapja me vonesë në gjashtë vendvotime, si dhe në pesë vendvotime janë regjistruar parregullsi më të vogla.

Edhe Nazmi Dauti, sekretar i Këshilli komunal në Tetovë, ka thënë se në komunën më të madhe të banuar kryesisht me popullatë shqiptare, procesi zgjedhor po zhvillohet në atmosferë të qetë dhe pa probleme. “I gjithë procesi i votimit ka filluar dhe po zhvillohet ashtu siç duhet. Të gjitha vendvotimet në komunën tonë janë hapur me kohë që në orën shtatë të mëngjesit”, ka thënë Dauti.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, përmes një video -incizimi ka kërkuar nga votuesit që lirshëm dhe pa frikë të shfrytëzojnë të drejtës e votës, ndërsa nga institucionet të ndajnë aktivitetet shtetërore nga ato partiake.

“U bëjmë thirrje liderëve politikë dhe anëtarëve të partive t’i zbatojnë zgjedhjet pa frikësim dhe dhunë. Përkujtojmë rëndësinë për ndarjen e qartë mes aktiviteteve shtetërore dhe partiake, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve”, ka deklaruar Zhbogar.

Edhe Ambasada e SHBA-së në Shkup ka bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike, ndërsa ka ftuar qytetarët që t’i denoncojnë të gjithë problemet në rast të parregullsive zgjedhore.

“I inkurajojmë të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, me anë të së cilës ata do të shprehin qëndrimet e tyre për problemet që prekin shoqërinë. Gjithashtu, i inkurajojmë qytetarët, shoqërinë civile dhe mediumet që t’i paraqesin të gjitha problemet në rast të parregullsive zgjedhore”, thuhet në njoftimin me shkrim të Ambasadës Amerikane.

Zgjedhjet zhvillohet në dy rrethe zgjedhore, por ato mund të përfundojnë edhe me një rreth nëse ndonjëri nga kandidatët fiton mbi 50 për qind të votave, në të kundërtën dy kandidatët me më shumë vota kalojnë në rrethin e dytë që mbahet pas dy javëve. Procesi zgjedhor mbikëqyret nga rreth 5 mijë vëzhgues vendorë dhe afër 400 të huaj.

Rezultatet e para nga votimi i sotëm, sipas KSHZ-së,pritet të publikohen nga mesnata.